Pesë punëtorë të arsimit kërkojnë pagesën e shpërblimeve jubilare dhe shujtave ditore mbi 7 mijë euro

Raporton: Blerim JAKUPI

Kamenicë –  Punëtorët e arsimit Muhamet, Murat, Mynyr dhe Nijazi Dërmaku si dhe Nerxhivane Spahija, po kërkojnë nga Komuna e Kamenicës kompensimin e shpërblimeve jubilare nga përvoja e punës dhe shujtave ditore për vitet shkollore 2017/2018, 2018/2019 dhe 2019/2020, në shumë prej 7 mijë e 180 euro e 57 centë.

Duke pretenduar se ky kompensim iu takon, paditësit në maj të vitit të kaluar, e kanë paditur Komunën e Kamenicës, respektivisht Drejtorinë e Arsimit në këtë komunë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Lidhur me këtë, të premten në Gjykatën Themelore në Gjilan, dega në Kamenicë, janë thënë fjalët hyrëse dhe përfundimtare të palëve ndërgjyqëse.

Përfaqësuesi i paditësve, avokati Labinot Buzuku fillimisht kërkoi nga gjykata që të mundësohet ndryshimi i padisë në aspektin objektiv, pasi sipas tij paditësit të drejtën e tyre e mbështesin në dispozitat e caktuara ligjore.

Gjykatësi Artan Abazi aprovoi kërkesën e avokatit Buzuku, ashtu që tani e tutje me kërkesëpadi paditësit po këkrojnë nga e paditura kompensimin e shumës së përgjithshme nga 1 mijë euro në 7 mijë e 180 euro e 57 centë.

“Padinë e mbështesim në kontratat e punës, vërtetimin mbi përvojën e punës dhe ditën e pranisë në punë, si dhe në listat e pagave ku përfshihet përvoja e punës dhe paga bazë”, deklaroi avokati Buzuku.

Kurse, përfaqësuesi i Komunës së Kamenciës, Alban Hashani, deklaroi se ata si palë e paditur mbeten në tërësi pranë përgjigjes në padi dhe e kundërshtojnë në tërësi kërkesëpadinë e paditësve si të pabazuar.

Kjo sipas tij, pasi që paditësit në procedurë administrative sipas nenit 78 të Ligjit të Punës nuk kanë parashtruar kërkesë, andaj ai ka thënë se kjo padi duhet të konsiderohet si e parakoshme.

Pas kësaj, gjykatësi Artan Abazi ka marrë aktvendim mbi administrimin e provave, ku është bërë edhe leximi i shkresave të lëndës.

Në fjalën përfundimtare, avokati i paditësve, Buzuku ka deklaruar se nga provat e administruara është vërtetuar baza juridike e kërkesëpadisë, duke kërkuar nga gjyakata që ajo të aprovohet në tërësi.

Ndërkaq, Hashani si përfaqësues i komunës, ka thënë se mbetet pranë të thënave të lartcekura, duke kërkuar nga gjykata që padinë e paditësve ta refuzojë në tërësi si të pabazuar.

Pas kësaj, gjykatësi Artan Abazi njoftoi palët se vendimin e gjykatës në lidhje me rastin konkret, do t’ua dërgojë brenda afatit ligjor.

Punëtorët arsimor Muhamet, Murat, Mynyr dhe Nijazi Dërmaku si dhe Nerxhivane Spahija, më 14 maj të vitit të kaluar kanë paditur Komunën e Kamenicës, respektivisht Drejtorinë Komunale të Arsimit (DKA) në këtë komunë, ndërsa më 15 tetor 2021 kanë bërë ndryshimin e padisë në aspektin objektiv, me arsyetimin se ata janë të punësuar në Shkollën Fillore të Mesme të Ulët “Sadri Misini”, në Shipashnicë të Epërme të Kamenicës, me përvojë pune 32, 30, 28, 27 dhe 7 vjeçare.

Me kërkesëpadi, paditësit po kërkojnë nga e paditura që atyre t’ua paguajë pagat jubilare varësisht nga përvoja e punës si dhe shujtat ditore për vitet shkollore 2017/2018, 2018/2019 dhe 2019/2020, në shumë të përgjithshme prej 7 mijë e 180 euro e 57 centë, me kamatë ligjore në lartësi prej 8% sipas LMD-së, e cila do të llogaritet nga dita e parashtrimit të padisë deri në pagesën definitive, në afat prej shtatë ditësh nga dita kur aktgjykimi të bëhet i formës së prerë, si dhe pagesën e shpenzimeve të procedurës kontestimore. /BetimipërDrejtësi

 

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë