Pesë paditës kërkojnë t’u kompensohet dëmi për aksidentin e vitit 2016 në Vushtrri

Gjykata - vjeshta
Author

Raporton: Valentina SHAHINI – GRAJҪEVCI

Shkurt 18, 2020

Prishtinë – Me pretendimin se kanë pësuar lëndime të rënda trupore nga një aksident trafiku, pesë paditës po kërkojnë kompensim dëmi.

Për këtë, Armond dhe Lendita Zhubi, Valdete Sadiku, L.A, me përfaqësues ligjor Abedin Dautaj dhe Sh.S, me përfaqësues ligjor Ilmi Sadiku, e kanë paditur Byronë Kosovare të Sigurimeve (BKS).

Këtë kompensim, paditësit po e kërkojnë me pretendimin se nga aksidenti i trafikut që kishte ndodhur ndërmjet dy veturave me tabela të huaja, në Vushtrri, kishin pësuar lëndime të rënda trupore.

Lidhur më këtë rast, të martën, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, është mbajtur seanca përgatitore, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Fillimisht, përfaqësuesi me autorizim i paditësve, avokati Xhevdet Krasniqi, ka kërkuar nga gjykata që të merret prova me ekspertizë mjekësore nga lëmi i ortopedisë dhe psikiatrisë, për të vërtetuar lëndimet trupore dhe frikën, që paditësit sipas tij, i kanë pësuar në aksident.

Kurse, përfaqësuesi i BKS-së, Faik Sylejmani ka thënë se në raportin e policisë nuk figurojnë të gjithë emrat e paditësve, andaj ai ka kërkuar prova shtesë nga përfaqësuesi i paditësve, për ta vërtetuar bazën e kërkesëpadisë.

Pas këtij pretendimi të palës së paditur, përfaqësuesi i paditësve, ka kërkuar nga gjykata që seanca të shtyhet, në mënyrë që të kërkohen prova shtesë për t’u vërtetuar baza e kërkesëpadisë.

Gjykatësi i rastit, Dardan Kadolli, ia ka tërhequr vërejtjen përfaqësuesit të paditësve, lidhur me atë se provat duhet të paraqiten në seanca përgatitore, ndërsa në seanca tjera gjykata i pranon provat vetëm pasi të bindet se të njëjtat nuk kanë mundur të paraqiten në seancën përgatitore.

Tutje, Kadolli u ka tërhequr vërejtjen të dy palëve ndërgjygjëse dhe atë se të njëjtit duhet ta kenë parasysh parimin e ekonomizimit të procedurës.

Pas kësaj, gjykatësi Kadolli me vendim e ka aprovuar propozimin e përfaqësuesit të paditësve, për shtyrjen e seancës përgatitore deri më 23 mars 2020, në orën 11:00.

Ndryshe, sipas padisë së ushtruar më 16 shtator 2016, paditësit po kërkojnë nga BKS-ja, kompensimin e dëmit material dhe jo material, pas aksidentit në komunikacion.

Në padi thuhet se më 25 korrik 2016, në Vushtrri, kishte ndodhur aksident komunikacioni ndërmjet dy veturave me tabela të huaja, ku lëndime trupore kishin pësuar tani paditësit.

Deri te aksidenti, sipas padisë, kishte ardhur me fajin e ngasësit të veturës, në të cilën gjendeshin tani paditësit, e siç thuhet në padi, aksidenti kishte ndodhur duke mos iu përmbajtur rregullave të komunikacionit.

Sipas padisë, meqenëse dy veturat janë me tabela të huaja, përgjegjësia për kompensimin e dëmin bie mbi BKS-në, tani e paditur në këtë kontest.

Prandaj, paditësit po kërkojnë nga gjykata që padia dhe kërkesa e saj të aprovohen si të bazuara dhe të detyrohet e paditura që atyre t’ua kompensojë dëmin në lartësi, e cila do të precizohet pas marrjes së provave të nevojshme. /Betimipërdrejtësi