Pesë muaj burg efektiv ndaj të akuzuarit që pranoi se e kishte goditur me thikë të dëmtuarin

Amiri
Author

Raporton: Amir BUNJAKU

Korrik 11, 2019

Mitrovicë – Gjykata Themelore në Mitrovicë, të enjten, e ka dënuar me pesë muaj burgim efektiv të akuzuarin për lëndim të lehtë trupor, Milan Brakus.

Ky dënim, do të ekzekutohet pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi, ndërsa atij do t`i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim dhe arrest shtëpiak, në kohëzgjatje prej rreth tre muajsh.

Ndaj tij është shpallur edhe aktgjykim plotësues, konfiskimi i thikës me të cilën është kryer vepra penale, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjithashtu, i akuzuari është obliguar të paguajë në emër të shpenzimeve procedurale  20 euro, në emër të paushallit gjyqësor 20 euro, si dhe 30 euro në emër të kompensimit të viktimave.

Gjykatësi Rrahman Beqiri, ka deklaruar se në shqiptimin e dënimit si rrethanë ka ndikuar mjeti me të cilin e është kryer vepra penale, e që sipas tij, është i përshtatshëm për të shkaktuar edhe vdekjen.

Gjykatësi e ka njoftuar të pandehurin në të drejtën e ankesës lidhur me lartësinë e dënimit, ndërsa të dëmtuarin e ka udhëzuar në kontest civil.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Mitrovicë, me 21 shkurt 2018, kishte ngritur aktakuzë ndaj Milan Brakus.

Sipas aktakuzës, më 31 korrik 2017, në Mitrovicë, në oborrin e shkollës “Branko Radiqeviq”, pas mosmarrëveshjes rreth borxhit në shumë prej rreth 1000 dinarë me të dëmtuarin Lubomir Bozhoviq, i akuzuari Brakus, e kishte goditur me këmbë, e pastaj e kishte nxjerr thikën nga xhepi i xhaketës dhe e kishte goditur në pjesën e majtë të gjoksit dhe ishte larguar nga vendi i ngjarjes.

Me këtë, Brakus akuzohet se ka kryer veprën penale ”lëndim i lehtë trupor”, nga neni 188 par 2 lidhur me par 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. /BetimipërDrejtësi