Përsëritet urdhërarresti ndaj të akuzuarit që vazhdon të mungojë në gjykimin për kanosje

20191224_090022 1
Author

Raporton: Alban MEHMETAJ

Shkurt 18, 2020

Istog – Në Gjykatën Themelore Pejë, dega në Istog, sërish ka dështuar të mbahet seanca e shqyrtimit fillestar në rastin e të akuzuarit për kanosje, Ferid Shpatollaj.

Shkak i dështimit të kësaj seance që ishte paraparë për të martën, ka qenë përsëri mungesa e të akuzuarit Shpatollaj.

Gjykatësi Arben Mustafaj, deklaroi se ndaj të pandehurit ishte lëshuar urdhërarrest, ku sipas tij, gjykata ka marrë informacion me shkrim nga ana e policisë se i pandehuri gjendet jashtë vendit.

Pas kësaj, gjykatësi Mustafaj tha se ndaj të pandehurit gjykata do të lëshojë përsëri urdhërarrest, në mënyrë që të sigurohet prezenca e tij në seancën e radhës.

Ndërkaq, seanca është shtyrë në kohë të pacaktuar, deri në plotësimin e kushteve ligjore për mbajtjen e saj, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndryshe, aktakuza e Prokurorisë Themelore në Pejë e ngritur më 4 dhjetor 2019, e ngarkon të akuzuarin Ferid Shpatollaj me veprën penale të kanosjes, nga neni 181 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Në aktakuzë thuhet se i pandehuri më 13 maj 2019, rreth orës 17:57, në fshatin Dubravë, të Komunës së Istogut, me qëllim të frikësimit, seriozisht e kanos të dëmtuarin Gani Arifaj.

Sipas aktakuzës, pas një mosmarrëveshje rreth një borxhi, i pandehuri e telefonon të dëmtuarin, duke iu drejtuar me fjalët “nëse të nxa edhe njëherë kah oborri im, kënaqesh me të vra, pasi që kam me të shti në dhe për së gjalli se kam me t’i qu miqtë nga Shqipëria”. /Betimipërdrejtësi