Përsëri shtyhet gjykimi për keqpërdorim detyre dhe shmangie nga pagesat doganore

Mitrovice
Author

Raporton: Amir BUNJAKU

Korrik 14, 2020

Mitrovicë – Për të dytën herë me radhë, ka dështuar të mbahet gjykimi ndaj zyrtarëve doganorë të akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare, Marko Mlladenoviq dhe Bekim Gashi, si dhe të akuzuarve për shmangie nga pagesat e detyrueshme doganore, Filip Filipoviq dhe Milan Stojanoviq.

Shkak i dështimit të seancës së paraparë për të martën, ishte mungesa e njërit të akuzuar, i cili përmes avokatit të tij e kishte njoftuar gjykatën se është infektuar me virusin Covid-19.

Mirëpo, për shkak të privatësisë, gjykatësi Bekim Veliqi ka kërkuar mos publikimin e emrit të akuzuarit.

Prezent seancën e së martës ka qenë edhe prokurori Njazi Rexha, përfaqësuesi të dëmtuarës, Doganës së Kosovës, Xhafer Krasniqi, si dhe dëshmitarja Valdona Ymeri.

Në këto rrethana, gjykimi për këtë rast u caktua të mbahet më 17 gusht 2020, në ora 10:00.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, të ngritur më 21 shtator 2016, Filip Filipoviq dhe Milan Stojanoviq , akuzohen se më 19 shtator 2014, rreth orës 17:45, në Leposaviq, në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “shmangia nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore” nga neni 318 paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Bazuar në aktakuzë, kjo vepër penale është kryer në atë mënyrë që i pandehuri Milan Stojanoviq,  në cilësinë e përgjegjësit të firmës “Telekomunikacia plus 028”, ndërsa i pandehuri Filip Filipoviq si vozitës i kamionit, në pikë kalimin kufitar në Jarinje-Leposaviq, kanë zhdoganuar mallin-detergjent dhe pelena sipas DUD-it, ndërkaq iu kanë shmangur zhdoganimit të mallrave- kozmetikë, “zhileta”, detergjent dhe “pampers”, me ç’rast i kanë ikur pagesës së detyrimeve doganore në vlerë prej 12.622.86 euro.

Ndërsa, në pikën e dytë të aktakuzës, Marko Mlladenoviq dhe Bekim Gashi, akuzohen se në datën e njëjtë si në pikën e parë të aktakuzës, në pikën kufitare Jarinje-Leposaviq, nuk i kanë përmbushur detyrat e tyre zyrtare me qëllim që tjetrit t’i sjellin përfitim pasuror.

Sipas aktakuzës, i akuzuari  Mlladenoviq, në cilësinë e udhëheqësit të ndërrimit dhe i pandehuri Bekim Gashi, përgjegjës në kamionin e markës “TAM 1300 T 11”, nuk e kanë kontrolluar në mënyrë detale në pikën doganore, por vetëm në mënyrë vizuele e më pas e lëshojnë atë, me ç’rast kamioni të cilin e drejtonte i akuzuari Filipoviq është ndaluar në Leposaviq nga ana e Policisë dhe pas verifikimit të mallit është konstatuar se kamioni ka pasur më tepër mall se që është deklaruar për zhdoganim, duke i shkaktuar buxhetit të Kosovës, humbje në vlerë prej 12.622.86 euro.

Me këtë, akuzohen se kanë kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422 paragrafi 1 e lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. /BetimipërDrejtësi