Përsëri shtyhet gjykimi ndaj të akuzuarve për dhënien e banesave pa kriter për shoqatat e dala nga lufta

119436843_344497620083387_4028341291609803405_n
Author

Raporton: Rystem HALIMI

Shtator 14, 2020

Prizren – Të hënën, në Gjykatën Themelore të Prizrenit, ka dështuar të mbahet seanca ndaj të akuzuarve për keqpërdorim të pozitës dhe autoritetit zyrtar, Reshat Mehmeti, Fidan Shala dhe Arben Rexhepi.

Shkak për mos mbajtjen e këtij gjykimi ishte mungesa e të akuzuarit Fidan Shala, si dhe përfaqësuesit të Komunës së Prizrenit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Për të akuzuarin Shala, avokati i tij Besim Koqinaj, deklaroi se ka kontaktuar me të mbrojturin e tij dhe ai nëpërmjet një SMS-i e ka lajmëruar se gjendet në trajtim mjekësor në Itali dhe se do të kthehet në fund të këtij muaji.

Ndërsa, në lidhje me mungesën e përfaqësuesit të Komunës së Prizrenit, gjyqtarja Ajser Skenderi deklaroi se ka prova se është ftuar në mënyrë të rregullt dhe se nuk e di arsyen se pse nuk është prezent në gjykatë.

Pasi që nuk pati kushte, kjo seancë u shty dhe e njëjta u caktua të mbahet më 22 tetor 2020 në ora 10:00.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore të Prizrenit të ngritur më 28 shkurt 2019, të akuzuarit Mehmeti, Shala dhe Rexhepi, ngarkohen se gjatë vitit 2013, nuk i përmbushin detyrat e tyre zyrtare me qëllim të përfitimit të dobisë për personin tjetër, apo që t’i shkaktojnë dëm personit tjetër.

Organi i akuzës, ata i ngarkon se duke qenë pjesë e komisionit për vërtetimin e kushteve të banimit dhe përcaktimin e përfituesve të të drejtës së shfrytëzimit të banimit, të njëjtit nuk i përmbushin detyrat e tyre dhe me këtë rast, sipas akuzës, i kanë dhënë mundësi Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve dhe Shoqatës së Invalidëve të UÇK-së, që të përpilojnë lista dhe në bazë të tyre, tu jepet e drejta e përfitimit të shfrytëzimit të banesave pa e bërë fare verifikimin sipas udhëzimit administrativ nr 21/2010.

Për ndërtimin e këtyre banesave kishte marrë vendim Komuna e Prizrenit, e cila edhe i kishte caktuar anëtarët e komisionit.

Gjithnjë sipas aktit akuzues, duke vepruar në këtë mënyrë, të njëjtit u kanë shkelur të drejtat familjeve skamnore, të cilat i kanë plotësuar kriteret, por për shkak se familjet e rekomanduara nga shoqatat e dala nga lufta e kanë përfituar shfrytëzimin e këtyre banesave me automatizëm, familjet skamnore kanë qenë të privuar nga kjo mundësi, me këto veprime të pandehurit nuk i kanë përmbushur detyrat dhe obligimet e tyre.

Me këtë, sipas Prokurorisë Themelore në Prizren, ata akuzohen se kanë kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422, paragrafi 1, e lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK). /BetimipërDrejtësi