Përsëri dështon të nis gjykimi ndaj dy deputetëve dhe dy ish-deputeteve për posedimin e gazit lotsjellës në hapësirat e Kuvendit

20200730_094728
Author

Raporton: Leotrim GASHI

Korrik 30, 2020

Prishtinë – Edhe një herë tjetër, ka dështuar të mbahet seanca fillestare ndaj deputetëve aktual Pal Lekaj dhe Donika Kadaj-Bujupi, si dhe ish-deputeteve Besa Baftiu e Albulena Haxhiu, të akuzuar për posedim të gazit lotsjellës në hapësirat e Kuvendit të Kosovës.

Shkak i mos mbajtjes së seancës, e paraparë për të enjten, ishte mungesa e prokurorit Ilaz Beqiri dhe deputëtëve Kadaj-Bujupi e Lekaj, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Naime Krasniqi-Jashanica tha se ka kontaktuar përmes telefonit me të akuzuarën Kadaj-Bujupi, mirëpo e njëjta e ka njoftuar se nuk ka pranuar asnjë ftesë nga ana e gjykatës.

Ndërsa mbrojtësi i të akuzuarit Pal Lekaj, avokati Arianit Koci, tha se nëse mbahet seanca gjyqësore, klienti i tij mund të paraqitet për dy minuta.

Krasniqi-Jashanica po ashtu tha se prokurori Beqiri në kohën e njëjtë me këtë seancë është në një shqyrtim të procedurës paraprake, te një gjykatës tjetër i Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Ndryshe, në sallën e gjykimit u paraqitën të akuzuarat tjera, ish-ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu me mbrojtësin e saj, avokatin Ahmet Ahmeti dhe ish-deputetja Besa Baftiu me mbrojtësin e saj, avokatin Naim Rudari, si dhe mbrojtësi i Lekajt, avokati Arianit Koci dhe mbrojtësi i Kadaj-Bujupit, avokati Sylejman Klinaku.

Në rrethana të tilla e në mungesë të kushteve ligjore për mbajtën e kësaj seance, gjykatësja Krasniqi-Jashanica vendosi që ta shtyjë gjykimin për 2 shtator, në ora 11:00.

Sikurse kjo seancë, edhe seanca e kaluar e 10 korrikut 2020 kishte dështuar për shkak të mungesës së deputetes Kadaj-Bujupi, pasi as atëherë asaj nuk i kishte shkuar ftesa.

Ndryshe, sipas aktakuzës, Lekaj, Baftiu, Kadaj-Bujupi dhe Haxhiu akuzohet se pa autorizim kanë poseduar armë në atë mënyrë që, më 19 shtator 2016, rreth orës 12:20, në hollin e Kuvendit e Kosovës, pas pauzës së punimeve të Kuvendit, derisa të akuzuarit ishin duke u kthyer në sallë, gjatë kontrollit që ju është bërë nga ana e punëtorëve të sigurimit të Kuvendit, te ta janë gjetur dhe sekuestruar nga një bombole e gazit lotsjellës, të cilën e mbanin pa autorizim.

Për këtë, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë ndaj të njëjtëve duke i ngarkuar secilin veç e veç me veprën penale “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 374, paragrafi 1, të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi