Përsëri dështon gjykimi ndaj katër të akuzuarve për pesë grabitje në pika të derivateve

unnamed (4)
Author

Raporton: Sabina PERGEGA

Shkurt 13, 2020

Prishtinë – Për të tretën herë ka dështuar të mbahet gjykimi për grabitje ndaj të akuzuarve Gëzim Haliti, Leuard Berjani, Gentrit Gjyrevci dhe Dren Mjekiqi, të cilët po dyshohen se nën kërcënimin e armëve kishin kryer pesë grabitje në pika të ndryshme të derivateve.

Edhe pse i akuzuari Gjyrevci, në seancën e 28 janarit 2020, kishte deklaruar se do të angazhojë mbrojtës, ai në seancën e së enjtes ka thënë se për shkaqe ekonomike, nuk mund të angazhojë mbrojtës, prandaj ai ka kërkuar që avokatin Ahmet Gjinovcin, të cilin gjykata ia kishte caktuar në fazat e mëhershme, t’i caktohet prapë sipas detyrës zyrtare, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndërkaq, i akuzuari Berjani ka deklaruar se ai kishte angazhuar avokatin Ali Beka, mirëpo tha se nuk e din arsyen për mungesën e tij.

Në këto rrethana, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Naser Foniqi lidhur me kërkesën e të akuzuarit Gjyrevci që t’i caktohet avokat sipas detyrës zyrtare tha se lënda me të gjitha shkresa do t’i dërgohet kryetares së gjykatës për të vendosur.

Seanca e radhës pritet të mbahet me 27 mars 2020, në ora 13:10.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, aktakuzën ndaj Gëzim Halitit, Leuard Berjanit, Gentrit Gjyrevcit dhe Dren Mjekiqit e kishte përpiluar me 30 prill 2019.

Sipas aktakuzës, me 12 nëntor 2017, në pompën e derivateve “IP Petrol”, në fshatin Vragoli në Fushë Kosovë, të akuzuarit Haliti, Gjyrevci dhe Berjani, pas një planifikimi paraprak, derisa të dëmtuarit Lulzim Pirraku dhe Shaban Dervisholli kishin qenë duke punuar, i akuzuari Halimi i maskuar dhe me armë kishte hyrë i pari në pompë, ndërsa Gjyrevci me thikë të madhe dhe nën kërcënimin e armës dhe thikës, duke i kanosur të dëmtuarit kishin arritur që të marrin rreth 300 euro, e më pas ishin larguar në drejtim të veturës, në të cilën kishte bërë roje i akuzuari Berjani.

Të njëjtat veprime tre të akuzuarit sipas prokurorisë, i kishin kryer edhe me 22 nëntor 2017, në pompën e derivateve “EX-FIS”, në fshatin Sllatinë- Fushë Kosovë, të cilët nën kërcënimin e armëve kishin arritur që të marrin 1.000 euro nga  të dëmtuarit Visar Halili dhe Naser Kastrati.

Tre ditë më vonë, me 25 nëntor 2017, në pompën e derivateve “IP Petrol”, të akuzuarit Haliti dhe Gjyrevci, kishin tentuar të hyjnë brenda por të dëmtuarit Hyzer dhe Artan Arllati kishin arritur të mbyllin derën e pompës, kurse të akuzuarin kishin ikur në drejtim të veturës “Golf II”, në të cilën i akuzuari Berjani kishte qenë duke i pritur.

I akuzuari Dren Mjekiqi, me 8 shkurt 2018, në pompën e derivateve “EX-FIS”, në fshatin Milloshevë të Obiliqit, e kishte hapur derën e pompës dhe nën kërcënimin e pistoletës kishte arritur që nga të dëmtuarit Fadil Shabani dhe Sejdi Gela të marrin 1.000 euro, e më pas ishte larguar në drejtim të panjohur.

Të akuzuarit Haliti dhe Berjani, me 16 shkurt 2018, në pompën e derivateve “Patroni”, në rrugën “Lidhja e Pejës”, në Prishtinë, me armë të gjatë dhe me thikë kishin tentuar të marrin të holla nga i dëmtuari Blerton Bulliqi i cili kur kishte rezistuar, i akuzuari Berjani e kishte goditur me thikë duke i shkaktuar lëndime trupore.

Prokuroria të akuzuarit Haliti dhe Berjani po i ngarkon me nga katër vepra penale të grabitjes, të akuzuarin Gjyrevci me tri vepra penale të grabitjes, ndërsa të akuzuarin Mjekiqi me një vepër penale të grabitjes./BetimipërDrejtësi