PËRPLASJE E KEQKUPTIME NË MES GJYKATËSIT DHE AVOKATIT, SHKAKTAR PËRDORIMI I TELEFONIT NË SEANCË

Raporton: Adem KRASNIQI

Prishtinë – Në Gjykatën themelore në Prishtinë u mbajt shqyrtimi gjyqësor ndaj ish-zyrtarëve të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), Bahri Shabani, Rrahman Emini dhe Sami Rrahmani, të akuzuar për veprën penale ”përvetësimi gjatë ushtrimit të detyrës”. Seanca e së enjtës u karakterizua me përplasje ndërmjet avokatit mbrojtës të Rrahman Eminit, Ali Latifi dhe kryetarit të trupit gjykues Beqir Kalludra.

Gjatë marrjes në pyetje të të akuzuarit Rrahman Emini nga prokurori Ilaz Beqiri, avokati i tij mbrojtës Ali Latifi ndërhynte në përgjigjet e të akuzuarit Emini. Për këto ndërhyrje, gjykatësi Beqir Kalludra i shqiptoi vërejtje dhe e ka njoftuar avokatin se të njëjtën do ta dërgon në Odën e Avokatëve të Kosovës. Seanca vazhdoi me pyetjet e prokurorit ndaj të akuzuarit Rrahman Emini rreth angazhimit të tij në punë. Pas këtyre pyetjeve, avokati Latifi pati një thirrje në telefon, në të cilën u përgjigj gjatë seancës. Në këte rast, gjykatësi Kalludra sërish ia tërheqi vërejtjen avokatit, duke i thënë se nëse dëshiron të flasë mund të dal prej seancës. Pas dy mintash, avokati Ali Latifi, ka dalur nda salla e gjykimit. Pas daljes së tij, gjykatësi Kalludra ka marr aktvendim që avokatin ta përjashtoj nga ky rast sepse sipas tij, nuk e ka pyetur askënd për të dalur jashtë dhe si pasojë duhet të shtyhet seanca për një datë tjetër derisa të akuzuarit Rrahman Eminit t’i caktohet një avokat tjetër.

Ndërkohë avokati Ali Latifi është kthyer në sallë dhe i njëjti nuk e ka pranuar vendimin e gjykatësit, me arsyetimin, se gjykatësi Kalludra, pak më herët i kishte dhënë leje që të dalë nga salla dhe se ai nuk ka bërë asnjë shkelje të procedurës.

Kryetari i trupit gjykues, Beqir Kalludra pasi u konsultua me anëtarët e tjerë të trupit gjykues, ka venosur ta kthej sërish në rast avokatin Ali Latifi me arsyetimin se ka ndodhur një keqkuptim mes tyre.

Në këto momente i akuzuari Rrahman Emini ka filluar të ankohet se ka probleme shëndetësore si marramendje dhe probleme me zemër, dhe i njëjti tha se i duhet të dal jashtë për të marr ajër të pastër. Për shkak të kësaj rrethane, gjykatësi Kalludra mori vendim që seanca të shtyhet ë 21 prill 2016 në ora 13:15.

 

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë