Përfundon shqyrtimi kryesor për kompensim dëmi

Foto, Gjykata Podujeve, 7 (2)
Author

Raporton: Florentina OSMANI

Prill 8, 2021

Podujevë – Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, dega Podujevë, ka përfunduar shqyrtimi kryesor për kontestin “kompensim dëmi”, mes palëve ndërgjyqëse paditësit M. A. me përfaqësuesin e tij ligjor babain Shaban Aliu dhe me avokatin Bajram Azemi, si dhe të paditurës Kompanisë së Sigurimeve “Elsig”.

Palët në këtë gjykim, si fillim u njoftuan nga gjykatësi i çështjes Binak Duqi mbi mundësinë ligjore të arritjes së pajtimit gjyqësor, gjë për të cilën ata nuk treguan gatishmëri, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në këtë gjykim u konstatua se paditësi i mitur, tashmë ka arritur moshën madhore, për çka i njëjti ka angazhuar drejtpërdrejtë me autorizim avokatin Azemi.

Tutje, avokati i palës paditëse, lidhur me padinë deklaroi se mbete pranë padisë dhe kërkesëpadisë si dhe të thënave të kaluara.

“Mbesim pranë padisë dhe kërkesëpadisë si dhe thënjeve nga seanca e kaluar, ne konfirmojmë se kemi marrë ekspertizën mjekësore për të cilën nuk kemi vërejtje, e cila ka konstatuar se kemi të bëjmë me lëndim të rëndë trupor dhe shkallë të mesme të shëmtimit, duke u bazuar në këtë eksperizë ne kemi bërë precizimin e kërkesëpadisë, ku bashkë me pagesat sot ja dorëzojmë gjykatës”, deklaroi avokati.

Ndërkaq, përfaqësuesi i të paditurës KS “Elsig”, Valon Alija tha ndër të tjera se mbetet në tërësi pranë të deklaratave të seancave të kaluara, i njëjti shtoi se nuk ka vërejtje në ekspertizën mjekësore, e gjithashtu tha se në kërkesëpadi bazën juridike nuk e kontestojnë, por vetëm lartësinë”.

Më tej, meqë palët  nuk kishin ndonjë propozim të ri ose provë të re, u administruan provat që gjendeshin në shkresat e lëndës.

Lidhur më këtë, nuk pati ndonjë vërejtje nga palët ndërgjyqëse, si dhe as ndonjë propozim tjetër, për çka palët u ftuan të paraqesin fjalën e tyre përfundimtare.

Përfaqësuesi i të paditurës KS “Elsig”, deklaroi se fjalën përfundimtare e ka përgatitur me shkrim, për çka të njëjtën ia dorëzoi gjykatës në kopje të mjaftueshme.

Ndërsa, përfaqësuesi i paditësit, fjalën përfundimtare e tha verbalisht, duke kërkuar nga gjykata të vendoset mbi provat në shkresa të lëndës.

“Kërkoj nga gjykata që të marr aktgjykim duke u bazuar në shkresat e lëndës e sidomos në ekspertizën mjeksore,  pra siç theksuam edhe më herët kemi të bëjmë me lëndime të rënda trupore dhe shkallë të mesme të shëmtimit, si dhe duke u bazuar në dispozitat ligjore që janë të aplikueshme”, përfundoi ai.

Gjykatësi Duqi, njoftoi palët se me kohë do të njoftohen me vendimin e shkruar.

Ndryshe, sipas padisë së datës 14.12.2015,   paditësit M. A. me përfaqësuesin e tij ligjor babain Shaban Aliu dhe me avokatin Bajram Azemi, kanë paditur Kompaninë e Sigurimeve “Elsig”, për kompensim dëmi.

Sipas kësaj padie, me datën 03.09.2015, në një aksident trafiku, paditësi M. A. në cilësinë e këmbësorit kishte pësuar lëndime të rënda trupore, pas goditjes nga automjeti “VË 253”, të cilin e drejtonte Egzon Segashi. Vlera e kontestit sipas kësaj padie është 4600 euro. /BetimipërDrejtësi