PËRFUNDON SHQYRTIMI GJYQËSOR PËR BEXHET BAJRAKTARIN I AKUZUAR PËR RRËMBIM

Raporton: Lutfi MORINA

Prizren – Janë dhënë fjalët përfundimtare, në rastin ndaj të akuzuarit Bexhet Bajraktari,  i cili akuzohet për rrëmbimin e një personi me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore prej 20 mijë franga zvicerane.

Të mërkurën, në Gjykatën Themelore në Prizren, ka vazhduar shqyrtimi gjyqësor ndaj të akuzuarit Bexhet Bajraktari, ku janë dhënë fjalët përfundimtare nga palët në procedurë.

Prokurori i rastit, Mehdi Sefa, ka kërkuar nga trupi gjykues që duke u bazuar në provat e administruara, të akuzuarin ta shpallë fajtorë dhe ta dënojë sipas ligjit.

Sipas prokurorit, dëshmitë e të dëmtuarve Shiqerije dhe Veli Berisha; Dëshmitarëve Hedije dhe Shaqir Krasniqi; Ekspertëve të operatorëve “Vala” dhe “Ipko”; Video incizimeve nga kamerat e qytetit të Prizrenit; Transaksioneve bankar, kanë vërtetuar me padyshim se i akuzuari ka kryer veprat penale të rrëmbimit dhe mashtrimit.

Ndërsa avokati mbrojtës, Bashkim Nevzati ka thënë se gjatë shqyrtimit, organi i akuzës ka dështuar që të vërtetojë pretendimet tij se i mbrojturi i tij ka kryer veprën penale me të cilën akuzohet.

Tutje ka thënë se me video incizimet dhe hartografinë e sinjaleve të aparateve  telefonike të të akuzuarit dhe viktimës, nuk është arritur të dëshmohet se ata kanë qenë afër në ditën kritike.

Ai ka shtuar se prokurori nuk ka arritur të dëshmojë veprimet konkrete të të mbrojturit të tij, me të cilat kishte për të kryer veprën penale të rrëmbimit.

Kryetari i trupit gjykues, Skender Çoçaj, ka shpallur të përfunduar shqyrtimin dhe shpalljen e aktgjykimit e ka caktuar për 25 korrik 2016, në ora 11:00.

Prokurorisë Themelore në Prizren e akuzon Bexhet Bajraktarin ka rrëmbyer viktimën Shaqir Berisha, pasi që nuk ka pasur mundësi t’ia kthejë borxhin prej 20 mijë franga zvicerane.

Të njëjtin e ka thirrur për të biseduar rreth borxhit, pas bisedës që kishin zhvilluar në Suharekë, i akuzuari e ka përcjellë viktimën deri në Prizren, viktima sërish ka hipur në automjetin e të akuzuarit dhe nga ajo kohë më nuk dihet asgjë për fatin e tij.

Poashtu, sipas prokurorisë, i akuzuari i kishte mashtruar familjarët e viktimës, i cili pas ditës kritike, kishte shkuar në shtëpinë e viktimës  dhe u kishte thënë familjarëve të tij, se viktima gjendet në Mitrovicë dhe se ai do ta gjejë atë, brenda shtatë ditëve, me këtë rast u kishte marrë 1500 euro për shpenzime.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë