Përfundon shqyrtimi gjyqësor në rastin ku “USPA” ka paditur “ALBBA TRANS” për shkelje të markës tregtare

Raporton: Ronesa DRAGUSHA

Prishtinë – Në Departamentin për Çështje Ekonomike në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ka përfunduar shqyrtimi gjyqësor në rastin ku United States Polo Association (USPA) ka paditur “ALBBA TRANS” Sh.P.K për shkelje të markës tregtare.

Në fillim të seancës së të mërkurës, gjykatësi Bajram Miftari ka njoftuar se i padituri, nuk është i pranishëm në këtë seancë, mirëpo nga fletëkthesa vërtetohet se i njëjti është ftuar në mënyrë të rregullt, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Përfaqësuesja e paditësit USPA, avokatja Kujtesa Nezaj – Shehu ka propozuar që shqyrtimi kryesor në këtë çështje kontestimore të mbahet në mungesë të të paditurit.

Avokatja Nezaj – Shehu, ka deklaruar se paditësi ka bërë shqyrtimin e fotografive të produktit të ndalur dhe për të njëjtat ka konstatuar se produkti i ndalur përbën falsifikim të markës së tij tregtare.

Pas administrimit të provave nga gjykatësi Miftari, Nezaj – Shehu në fjalën përfundimtare ka thënë se paditësi ka të drejtën e mbrojtur të markës tregtare në Kosovë dhe në përputhje me vendimet për regjistrim, Dogana e Kosovës ka ndalë 3 mijë e 600 palë çorape të cilat mbajnë markën tregtare të paditësit.

Andaj, e njëjta ka kërkuar nga gjykata që ta aprovojë si të bazuar kërkesëpadinë në tërësi.

Më pas, gjykatësi Miftari e ka shpallur të përfunduar seancën për shqyrtimin kryesor në këtë çështje kontestimore.

Ndryshe, sipas padisë së 3 shtatorit 2021, United States Polo Association (USPA) ka paditur “ALBBA TRANS” Sh.p.k dhe po kërkon vërtetimin se i padituri përmes importit të 3 mijë e 600 palë çorapeve, ka shkelur markën tregtare me numër të regjistrimit 2838 dhe 2842, po ashtu të obligohet i njëjti që me shpenzimet e tij të shkatërrojë çorapet e lartcekura.

Po ashtu me anë të padisë, paditësi ka kërkuar që në rast të mospërmbushjes së oblgimit për shkatërrimin e çorapeve, të obligohet i padituri që t’i rimbursojë sipas faturës, pavarësisht nga çmimi i të gjitha shpenzimeve të shkaktuara për organizimin e shkatërrimit të 3 mijë e 600 palë çorapeve.

Gjithashtu me anë të padisë, paditësi ka kërkuar edhe që të obligohet i padituri që të mbulojë të gjitha shpenzimet e magazinimit të çorapeve të lartcekura sipas faturës pavarësisht nga shuma e tyre dhe t’i ndalohet të njëjtit, çfarëdo importimi, ruajtje, ofrim për shitje apo shpërndarje tjetër e mallit, që pa ndonjë autorizim, mbajnë elemente identike apo hutuese me markën tregtare të regjistruar dhe t’i paguajë edhe shpenzimet e procedurës. /BetimipërDrejtësi

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë