Përfundon seanca e së mërkurës në rastin e Salih Mustafës, vazhdohet edhe nesër me dëgjimin e dëshmitarit të katërt

Raporton: Medina Kadriu

(Përditësuar, ora 16:50) – Ka përfunduar seanca e së mërkurës në Hagë, në rastin ku ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Salih Mustafa, akuzohet për krime lufte.

Gjykimi ndaj Mustafës pritet të vazhdojë edhe nesër, me dëgjimin e dëshmitarit të katërt të mbrojtur, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndryshe, që nga mëngjesi i së mërkurës e deri rreth orës 15:00, transmetimi i kësaj seance nuk ka qenë i disponueshëm për shkak të problemeve teknike.

Pasi janë rregulluar problemet teknike dhe ka filluar transmetimi i saj,  seanca ka vazhduar me sesion të mbyllur gjatë parashtrimit të pyetjeve të avokatit mbrojtës, si dhe rimarrjes në pyetje nga Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS).

 

(Përditësuar, ora 15:08) – Pas rregullimit të problemeve teknike, Gjykata Speciale fillon me transmetimin e gjykimit në rastin e Salih Mustafës

Gjykata Speciale e ka filluar transmetimin e seancës të së mërkurës, në rastin ku Salih Mustafa akuzohet për krime luftë.

Për momentin, gjykimi po zhvillohet në sesion privat, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndryshe, që nga mëngjesi i së mërkurës e deri më tani, transmentimi i kësaj seance nuk ka qenë i disponueshëm për shkak të problemeve teknike.

 

(Përditësuar, ora 10:33) – Gjykata Speciale njofton se ka probleme teknike me transmetimin e seancës në rastin e Salih Mustafës

Gjykata Speciale ka njoftuar se po has në probleme teknike me transmetimin e seancës të së mërkurës, në rastin ku Salih Mustafa akuzohet për krime luftë.

Përmes një njoftimi në faqen zyrtare, Specialja ka informuar se transmetimi i seancës, gjatë së cilës vazhdon dëgjimi i dëshmitarit të katërt të mbrojtur, nuk është i disponueshëm.

“Ju informojmë se për momentin ka probleme teknike me transmetimin e seancës në çështjen Mustafa. Transmetimi nuk është i disponueshëm dhe jemi duke u përpjekur që ta zgjidhim problemin sa më shpejtë të jetë e mundur”, thuhet në këtë njoftim, raporton “Betimi për Drejtësi”.

 

Për shkak të problemeve teknike me transmetim, ende nuk fillon gjykimi ndaj Salih Mustafës në Hagë, probleme teknike

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, sot vazhdon dëgjimi i dëshmitarit të katërt në rastin ku ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Salih Mustafa, akuzohet për krime lufte.

Dëshminë e tij dëshmitari W03594 e ka nisur më 12 tetor, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjykimi ndaj Salih Mustafës ka filluar më 15 shtator 2021, gjatë së cilës seancë i njëjti është deklaruar i pafajshëm për akuzat që i vihen në barrë nga prokuroria.

Aktakuza ndaj ish-pjesëtarit të UÇK-së është konfirmuar më 12 qershor 2020.

“Aktakuza e konfirmuar përcakton se afërsisht midis 1 prillit 1999 dhe 19 prillit 1999, në një kompleks ndalimi në Zllash, Kosovë, u kryen krimet e ndalimit arbitrar, trajtimit mizor dhe të torturës kundër të paktën gjashtë personave. Gjithashtu, në aktakuzë thuhet se në një datë midis 19 prillit 1999, ose rreth kësaj date, dhe rreth fundit të prillit 1999, në atë vendndodhje u vra një i ndaluar”, ka njoftuar Gjykata Speciale përmes një komunikate.

Bëhet e ditur se në aktakuzën e konfirmuar, Salih Mustafa akuzohet në kuadër të formave të ndryshme të përgjegjësisë penale, për: ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme si krime lufte të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur jo ndërkombëtar në Kosovë, ose në lidhje me atë konflikt. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë