Përfundon rigjykimi për vrasjen në “City Club”, i akuzuari i thotë të dëmtuarit se nuk ia ka vrarë ai vëllanë

Raporton: Senad Lokaj

Gjakovë – “Nuk ta kam vra vëllaun”, ishin fjalët e të akuzuarit Granit Elshani, drejtuar të dëmtuarit, Besnik Shabi, në fjalën e tij përfundimtare të mërkurën, ku ka përfunduar rigjykimi ndaj tij.

Elshani po akuzohet se më 2 janar 2010 në diskotekën “City Club”, në Pejë, kishte shtënë me armë zjarri, ku për pasojë i vrarë kishte mbetur B.Sh, raporton “Betimi për Drejtësi”.

I akuzuari Elshani tha se i është dorëzuar organeve të drejtësisë, pasi që ndaj të dëmtuarit nuk ka as hak, e as hile.

“Dua t’ju them se unë qe pesë vite e gjysmë jam ardhë këtu dhe ndaj jush nuk kam as hak as hile. Unë nuk ta kam vra vëllaun dhe ti shumë mirë e dinë. Unë e di shumë mirë se  çka është me ta vra dikush vëllaun e mos me ditë se kush dhe këij i ka taku më shumë se çdokujt me tregu realitetin”, tha i akuzuari drejtuar të dëmtuarit.

Pasi u përmend emri i të dëmtuarit Shabi, i njëjti tha se po ta dinte se kush e ka vrarë vëllanë e tij do të tregonte.

“Ky nuk është këtu për shkak timin, por për shkak se drejtësia e ka akuzuar, dhe mu drejtu se si mundet me fjet dikush kur dikush është i pafajshëm në burg kur kinse unë e di se kush është vrasësi. Sikur vetëm ta kisha ditë se kush është e kisha thënë, por unë nuk e di dhe nuk e kam ditur asnjëherë dhe kjo për mua është një akuzë shumë e rëndë”, tha i dëmtuari Shabi.

Sidoqoftë, paraprakisht prokurori special, i cili fjalën e tij përfundimtare e ka dorëzuar në formë të shkruar, ka kërkuar që i akuzuari të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit.

Sipas prokurorit, në dhomën ku kishte qenë duke fjetur i akuzuari Elshani është gjetur arma “Sig Sauer”, e cila ka rezultuar se është përdorur natën kritike.

Ndërsa, mbrojtësja e të akuzuarit, avokatja Kosovare Kelmendi ka kërkuar që ndaj të akuzuarit të merret aktgjykim lirues.

E njëjta gjatë elaborimit të fjalës së saj përfundimtare ndër të tjera tha se kjo aktakuzë nuk i plotëson as kushtet formale dhe se nuk është dashur ta kalojë as pragun e parë për të ardhur tek shqyrtimi gjyqësor.

Sipas saj, Xhevdet Kelmendi është i vetmi nga dhjetëra dëshmitar që bën gisht në drejtim të Granit Elshanit dhe atë 6 vite pas ngjarjes.

Ajo tha se aktakuza që është ngritur i ngjan një aktakuze sikur ta kishte ngritur Xhevdet Kelmendi, e jo prokuroria.

Derisa në lidhje me armën që ishte gjetur nën jastëkun e të akuzuarit Elshani, ajo tha se nuk është ajo armë e cila është ekzaminuar në laborator.

Kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Mentor Bajraktari, ka caktuar 14 marsin 2022 për shpalljen e aktgjykimit në këtë rast.

Ndryshe, kjo lëndë është transferuar nga Gjykata Themelore në Pejë në Gjykatën e Gjakovës, pas kërkesës së kryetarit të Gjykatës Themelore në Pejë, Armend Berisha.

Ai kishte kërkuar transferimin e lëndës për shkak të mungesës së gjykatësve të krimeve të rënda në gjykatën që ai drejton dhe për shkak se gjyqtarët tjerë të cilët kanë mbetur, kanë bazë për përjashtim në gjykimin e këtij rasti.

Gjykata Themelore në Pejë, në maj të vitit 2018, i kishte shqiptuar 25 vjet burgim, Granit Elshanit.

Elshani ishte shpallur fajtor për veprat penale “Vrasje e rëndë”, “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”, “Vrasje e rëndë në tentativë” dhe “Mbajte në pronësi, posedim dhe përdorim të paautorizuar të armëve”.

Mirëpo, në tetor 2018, Gjykata e Apelit e kishte anuluar aktgjykimin në fjalë, duke miratuar ankesën e mbrojtësit të mëparshëm të akuzuarit Granit Elshani, avokati Ndrecë Dodaj, me arsyetimin se aktgjykimi i shkallës së parë ishte marrë në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale dhe vërtetim jo të plotë të gjendjes faktike.

Pas kthimit të rastit në shkallë të parë, rigjykimi në këtë rast në Gjykatën e Pejës kishte zgjatur rreth 1 vit e 7 muaj, deri në ditën kur ishte caktuar të bëhej shpallja e aktgjykimit, mirëpo kjo nuk kishte ndodhur pasi që trupi gjykues i kryesuar nga ish-gjykatësi Sylë Lokaj, i cili ka dalë në pension, kishte vendosur që të rihapej shqyrtimi gjyqësor për këtë rast.

Në aktakuzën e Prokurorisë Speciale të ngritur më 25 nëntor 2016, thuhet se më 2 janar të vitit 2010, në diskotekën “City Club” në Pejë i akuzuari Granit Elshani, kishte hyrë me dy revole të tipit “TT” dhe kishte filluar të shtinte në drejtim të tani të ndjerit B.Sh dhe Valdet Kelmendit, i cili ishte plagosur.

Siç përshkruhet në aktakuzë, në natën kritike Granit Elshani, shënjestër të vrasjes kishte anëtarin e familjes Kelmendi, Valdetin, por që plumbi kishte goditur B.Sh, i cili kishte qëlluar afër tij.

Sipas prokurorit, atë natë lëndime kishin pësuar edhe persona të tjerë që ishin mbledhur për të festuar, ndër ta edhe zyrtari policor, Hasan Buqaj. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës prerë.

 

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë