Përfundon procedura e provave në rastin e Salih Mustafës, fjalët përfundimtare paraqiten në shtator

Raporton: Medina KADRIU

Në gjykimin ndaj Salih Mustafës, trupi gjykues ka marrë një vendim, me anë të së cilit është përmbyllur procedura e paraqitjes së provave, ndërkaq fjalët përfundimtare nga palët pritet të jepen në muajin shtator.

Me anë të këtij vendimi, trupi gjykues i kryesuar nga Mappie Veldt- Foglia, ka urdhëruar palët dhe mbrojtësen e viktimave që të paraqesin çdo kërkesë në lidhje me provat e dënimit deri të premten (1 korrik 2022) dhe përgjigjet nëse ka, deri të mërkurën (6 korrik 2022), raporton “Betimi për Drejtësi”.

Po ashtu, ka urdhëruar palët dhe mbrojtjen e viktimave që të dorëzojnë dosjet e tyre përfundimtare dhe deklaratën e ndikimit deri të më 21 korrik 2022.

Ndërkaq, ka caktuar 13, 14 dhe 15 shtatorin si ditët kur do të mbahen seanca, në të cilat palët do të paraqesin fjalët e tyre përfundimtare. Ndërkaq, si ditë rezerve, nëse është e nevojshme, është caktuar 15 shtatori.

Ndryshe, aktakuza ndaj Salih Mustafës ishte konfirmuar më 12 qershor 2020, ku ngarkohet për krime lufte.

“Aktakuza e konfirmuar përcakton se afërsisht midis 1 prillit 1999 dhe 19 prillit 1999, në një kompleks ndalimi në Zllash, Kosovë, u kryen krimet e ndalimit arbitrar, trajtimit mizor dhe të torturës kundër të paktën gjashtë personave. Gjithashtu, në aktakuzë thuhet se në një datë midis 19 prillit 1999, ose rreth kësaj date, dhe rreth fundit të prillit 1999, në atë vendndodhje u vra një i ndaluar”, ka njoftuar Gjykata Speciale përmes një komunikate.

Bëhet e ditur se në aktakuzën e konfirmuar, Salih Mustafa akuzohet në kuadër të formave të ndryshme të përgjegjësisë penale, për: ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme si krime lufte të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur jo ndërkombëtar në Kosovë, ose në lidhje me atë konflikt. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë