PËRFUNDON MARRJA NË PYETJE E DËSHMITARIT GRANIT HASANI PËR RASTIN KEK-U II

Raporton:Arbelina DEDUSHAJ

Prishtinë – Në Gjykatën Themelore në Prishtinë,të enjten u mbajt seanca e shqyrtimit gjyqësor ndaj Sami Lushtakut,Arben Gjukaj dhe gjashtë të akuzuarve tjerë për rastin KEK-u II.

Në seancën e së enjtes përfundoi marrja në pyetje e dëshmitarit Granit Hasani, drejtorit të përgjithshëm të kompanisë “Besa Security”, i cili dëshmoi për rastin e tenderimit dhe eliminimin e padrejtë të tyre në procedurat e prokurimit të OSHP-së.

Dëshmitari Granit Hasani në pyetjen  e të akuzuarit Hysni Hoxha, deklaroi se në kontaktin  e parë me Richard Orsmond, ”Besa Security” nuk kishte lejuar që të njëjtit t’i ipen informata, pasi emri i tij nuk ishte i listuar në kontratat që e njëjta kompani kishte me KEK-un.

I akuzuari Hysni Hoxha i përkujton dëshmitarit Hasani deklaratën e tij të dhënë ditë më parë në seancat e kaluara gjyqësore, lidhur me atë se disa prej miqëve të të njëjtit i kishin thënë Granit Hasanit  se kompania’’Besa Security” do të ketë probleme në të ardhmën për shkak të këtij eliminimi.Po ashtu kërkoi nga Hasani që ta njoftoj trupin gjykues se kush ishin ata miq dhe a mos njëri prej tyre ka qenë edhe personi i caktuar për vëzhgim të Komisionit Rivlerësues, Richard Orsmond, ku dëshmitari Hasani dekaroi para trupit gjykues se ka kaluar një kohë e gjatë dhe se nuk i kujtohen me emra dhe se asnjëherë në seancat e kaluara nuk ka thënë se këta miq kanë folur personalisht me të, por sipas tij nëse ka qenë Orsmund një ndër këta miq është apsolutisht e pa vërtetë.

Po ashtu dëshmitari Hasani në pyetjen nga i akuzuari Hoxha në lidhje me seancën dëgjimore të OSHP-së se pse nuk kishte paraqitur në atë kohë asnjë vërejtje për procesverbalin e mbajtur për të njëjtën seancë, Hasani u përgjigj se për çështjen e mbajtjes së procesverbalit nuk kishte vërejtje, por pas përfundimit të fjalës së tyre si kompani,  kishin kërkuar që t’i paraqesin disa dokumente para se të flisnin për të njëjtat, por nuk u ishte lejuar.

Ndërsa në pyetjen e gjykatësit Vladimir Mikula se cili është përafërsisht shuma i fitimit të humbur, dëshmitari Hasani deklaroi se i duhet kohë që ta tregoj shumën e saktë të fitimit të humbur lidhur me këtë rast të tenderimit, pasi është eksperti ai që në fund do ta paraqesë në mënyrë të detajuar para gjykatës mendimin e tij për shumën e fitimit të humbur.

Sipas aktakuzës së prokurorisë, shtatë personat e akuzuar në lidhje me tenderin e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) përfshihen kryetari i Skënderajit, Sami Lushtaku dhe Drejtori i KEK-ut, Arben Gjukaj dhe pesë të akuzuar tjerë. Që të shtatë të akuzuarit, akuzohen për tenderin milionësh për sigurimin fizik të objekteve të KEK-ut,ku i akuzuari Sami Lushtaku akuzohet për veprën penale ‘’shtytje për keqpërdorim të pozitës zyrtare ose të autorizimit’’, Arben Gjukaj e Hysni Hoxha për veprën penale ‘keqpërdorimi i pozitës zyrtare ose i autorizimit’’, Esat Tahiri dhe Milazim Lushtaku për veprat penale të’ mashtrimit’ dhe ‘’falsifikimit të dokumenteve’’ në bashkëkryerj’, Driton Pruthi për veprat penale ‘keqpërdorimi i pozitës zyrtare ose i autorizimit’ dhe lidhja e kontratës së dëmshme dhe Azem Duraku për veprën penale ‘’shtytje për keqpërdorim të pozitës zyrtare ose të autorizimit’. Seanca e ardhshme u caktua për 13 prill 2016 në ora 09:00, ku do të vazhdojnë me marrjen në pyetje të dëshmitarëve tjerë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë