Përfundon kontesti në rastin ku paditësja po kërkon anulimin e vendimit të UP-së dhe kompensimin e rreth 14 mijë eurove

Raporton: Lirikë KAMBERI

Prishtinë – Në seancën e së mërkurës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ka përfunduar kontesti në rastin ku paditësja B.L-Xh. ka paditur Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, për anulim të vendimit me të cilin ka emëruar F.H në pozitën “profesor asistent”, si dhe ka kompensim në të ardhurat personale rreth 14 mijë euro.

Fillimisht, në këtë seancë është dëgjuar eksperti financiar Fahri Bajrami, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Duke u përgjigjur në pyetjen e përfaqësuesit Safet Thaqi, eksperti Bajrami tha se në llogaritjen e diferencës në pagë për periudhën kontestuese, ka marrë për bazë pagën të cilën e realizon paditësja në bazë të rregullores për të ardhurat personale në pozitën e asistentes.

Tutje tha se gjithashtu ka marrë për bazë pagën për pozitën ‘profesor asistent’, të cilën e realizon kandidati, me ç’rast ka nxjerrë diferencën mes këtyre shumave.

Kurse, duke u përgjigjur në pyetjen e avokatit Naser Peci, eksperti Bajrami tha se kamatën e ka llogaritur me metodën lineare, duke marrë për bazë shumën vjetore të diferencës në pagë.

Në fjalën përfundimtare, avokati Peci tha se konsiderojnë se provat e administruara vërtetojnë se me rastin e përzgjedhjes së kandidatit, e paditura ka bërë shkelje ligjore, shkelje këto të cilat janë konstatuar edhe me vendimet Inspektoratit të Punës, duke zgjedhur kandidatin i cili nuk i plotësonte kushtet e konkursit të shpallur.

Kurse, sa i përket lartësisë së kërkesëpadisë, i njëjti tha se mbështetet në ekspertizë financiare, andaj i propozojnë gjykatës që kërkesëpadinë e precizuar ta aprovojnë në tërësi si të bazuar.

Përfaqësuesi Safet Thaqi, në fjalën e tij përfundimtare theksoi se gjykata pas administrimit të provave do të vërtetojë se përzgjedhja e stafit akademik është bërë në përputhje me konkursin e lartcekur, Statusin e UP-së, Rregulloren 465, duke pasur parasysh se paditësja është njoftuar me anë të vendimit si në provat e lexuara.

Ai gjithashtu tha se paditësja ka shfrytëzuar të drejtën e ankesës në të dy shkallët e të paditurës dhe është njoftuar se Senati ka mbetur pranë vendimit për zgjedhjen e personelit akademik.

Po ashtu, theksoi se pas vendimit të Inspektoratit të Punës dhe rrethanave të krijuara, e paditura ka marrë edhe njoftimin për refuzim të masës së sigurisë, andaj edhe ka vazhduar tutje me përfundimin e përzgjedhjes së personelit akademik dhe konkursit.

Kurse, sa i përket precizimit të padisë së pranuar në këtë seancë, të njëjtën e ka kundërshtuar duke pasur parasysh faktin që sipas tij nuk qëndrojnë pretendimet e paditëses, e as pikat e padisë.

Më pas, gjykatësi Hysni Bardheci e ka aprovuar precizimin e kërkesëpadisë.

Ndryshe, në 20 maj 2022, pas pranimit të ekspertizës financiare, B.L-Xh ka bërë precizimin e padisë në aspektin objektiv, ashtu që ka kërkuar në emër të diferencës në pagën neto 13 mijë e 94 euro e 23 centë, në emër të diferencës për sigurim pensional 1 mijë e 531 euro e 48 centë, në emër të diferencës për tatim në të ardhura personale 1 mijë e 454 euro e 91 centë, si dhe në emër të kamatës për diferencë në pagë 986 euro e 67 centë.

Ndërsa, me padinë e 20 nëntorit 2018, B.L-Xh ka paditur Rektoratin e Universitetit të Prishtinës për anulim të vendimit për emërim në pozitën profesor asistent kandidatin F.H dhe kompensimin e të ardhurave personale.

Sipas padisë, Këshilli i Fakultetit të Mjekësisë ka emëruar Komisionin Vlerësues në përbërje prej profesor Agim Begzati  – kryetar i katedrës, Ferit Koqani anëtar dhe një anëtar nga Universiteti i Zagrebit, M. Majstorovic.

Në padi thuhet se në përfundim të vlerësimit nga Komisioni Vlerësues, kandidati F.H, ka ndërhyrë në punën e komisionit, duke kërcënuar kryetarin e komisionit, për çka kryetari i komisionit vlerësues ka informuar dekanen e Fakultetit të Mjekësisë.

Tutje, paditësja pretendon se dekanja Suzana Manxhuka – Kërliu, në vend që të merr masa konform procedurave ligjore qoftë duke informuar organet policore, si dhe të ndërmarrë veprimet disiplinore për shkak të kanosjes dhe t’i mundësojë kryetarit të komisionit përfundimin e punës, e njëjta në kundërshtim me Statutin e UP-së dhe rregulloren 465, emëron komision të ri vlerësues.

Gjithmonë sipas padisë, komisioni i ri vlerësues duke qenë i caktuar kundërligjshëm edhe punën në përpilimin e raportit recensues e ka bërë në mënyrë të kundërligjshme, i cili më 10 korrik 2018, ka publikuar të njëjtin dhe ka propozuar për emërim kandidatin i cili nuk i plotëson kushtet ligjore.

Paditësja në padi thekson se kandidati i përzgjedhur nuk ka diplomë të doktorit të shkencës, nuk ka monografi të botuar, nuk ka tre vite përvojë punë në lëndën klinike “Pedodonci”, si dhe ka pengesa ligjore pasi në të njëjtin departament dhe degë vëllai i tij ka marrëdhënie të punës.

Sipas padisë, shkeljet e lartcekura ligjore janë konfirmuar nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale – Inspektorati i Punës më 25 tetor 2018, vendim i cili nuk është respektuar nga e paditura.

Në padi thuhet se përkundër faktit se paditësja B.L-Xh ka gjithsej 36 pikë, kurse F.H gjithsej 18 pikë, në vlerësimin e aktivitetit të tyre shkencor, profesional dhe akademik, komisioni në kundërshtim me nenin 11, paragrafi 9, të rregullores 465, propozon kandidatin e fundit.

Me padi, paditësja L-Xh ka theksuar gjithashtu se e njëjta ka paraqitur ankesë ndaj vendimit, i cili si për nga forma ashtu edhe për nga përmbajtja është i kundërligjshëm dhe ka kërkuar që të caktohet masë e përkohshme e sigurisë që të urdhërojë të mos ta ndërmerret asnjë veprim deri në vendosjen përkitazi me ankesën e paraqitur.

Andaj, mbi këtë bazë paditësja L-Xh ka kërkuar që të aprovohet padia dhe kërkesëpadia, të anulohet vendimi i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, për emërimin në pozitën profesor-asistent kandidatin Dr. F.H, të detyrohet e paditura që t’ia njeh të drejtën nga marrëdhënia e punës, duke e emëruar “profesoreshë asistente” në Fakultetin e Mjekësisë – Dega Stomatologji, si dhe t’ia kompensojë të ardhurat personale. /BetimipërDrejtësi

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë