Përfundon intervistimi i kandidatëve për gjyqtarë në Gjykatën Komerciale

Raporton: Mirvet THAQI

Prishtinë- Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGjK), të enjten ka përmbyllur procesin e intervistimit të kandidatëve, të cilët kanë aplikuar për pozitën e gjyqtarit në Dhomat e Shkallës së Parë të Gjykatës Komerciale.

Konkursin e brendshëm për nëntë pozita të lira për gjyqtarë në Dhomat e Shkallës së Parë të Gjykatës Komerciale të Kosovë, KGJK e kishte shpallur më 4 mars 2022, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Për këto pozita kanë kandiduar 11 gjyqtarë të Gjykatave Themelore të Republikës së Kosovës, mirëpo pas publikimit të listës përfundimtare të kandidatëve që i plotësojnë kushtet për t’iu nënshtruar procesit të intervistimit, dy prej tyre janë tërhequr nga kjo garë.

Procesit të intervistimit për këto pozita, gjatë së enjtes iu nënshtruan gjykatësit Hasan Kryeziu, Vlora Pacolli, Rexhep Gashi dhe Verona Dibra.

Derisa gjatë ditës së djeshme, Paneli për shqyrtimin e aplikacioneve dhe intervistimin e kandidatëve kishte intervistuar gjykatësit Alajdin Tërshnjaku, Arnis Dumani, Gent Bekeri, Fatos Sejdijaj dhe Fisnik Nuli.

Ky panel përbëhej nga kryetari i Gjykatës Komerciale, Mahir Tutuli, në cilësi të kryesuesit, ndërsa anëtarë të tjerë të këtij paneli janë tre anëtarët e KGjK-së: Qerim Ademaj, Teuta Ibrahimi dhe Drita Rexhaj, si dhe gjykatësi nga radhët e Gjykatës Supreme, Nenad Lazic.

Ndërsa, gjyqtarët të cilët deri më tani janë tërhequr nga gara janë Bajram Miftari dhe Përparim Zeka./BetimipërDrejtësi

Shënim: Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka monitoruar procesin e intervistimit dhe do të vazhdojë ta monitorojë deri në fazën finale.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë