Përfundon gjykimi për vrasje i kthyer në rigjykim për të tretën herë

119437244_750364378864136_6230500913406990856_n
Author

Raporton: Tringa RAMADANI

Shtator 14, 2020

Prishtinë – Të hënën, në Gjykatën Themelore të Prishtinës, është dhënë fjala përfundimtare në gjykimin për vrasje të rëndë dhe vrasje në tentativë, ku të akuzuar janë Qëndrim dhe Senad Begu.

I pandehuri Qëndrim Begu po akuzohet se më 1 mars 2012, në Podujevë, kishte privuar nga jeta tani të ndjerin Sevdaim Sinani, pas një mosmarrëveshje që kishin pasur lidhur me një borxh. Po ashtu, sipas aktakuzës, ai kishte shtënë edhe në drejtim të tani të dëmtuarit Kajtaz Sinani, duke i shkaktuar lëndime të lehta trupore.

Në aktakuzë thuhet se revolen me të cilën kishte shtënë e kishte marrë nga babai i tij, Senad Begu, i cili më pas ia kishte marrë atë djalit të tij dhe kishte shtënë në drejtim të të dëmtuarve Gëzim dhe Adile Sinani, duke iu shkaktuar lëndime të lehta trupore.

Bashkë me ta akuzohej edhe Xh. A., por për të ka pushuar procedura penale, meqë i njëjti ka ndërruar jetë.

Prokurorja Shemsije Asllani, fjalën përfundimtare e ka dorëzuar me shkrim, duke shtuar se mbetet pranë së njëjtës dhe se ka marrë parasysh vërejtjet dhe sugjerimet nga shkalla e dytë.

Mbrojtësi i të dëmtuarve Sinani, avokati Skender Musa, deklaroi se e përkrahë në tërësi fjalën përfundimtare të prokurores Asllani.

Ai i ka kërkuar gjykatës që me rastin e marrjes së aktgjykimit, t’i ketë parasysh të gjitha rrethanat rënduese.

“Gjatë këtij rigjykimi është vërtetuar se të akuzuarit i kanë kryer veprat penale të përshkruara në aktakuzë dhe është vërtetuar se ka ekzistuar dashja direkte për kryerjen e veprave. Gjykata t’i ketë parasysh rrethanat rënduese me rastin e marrjes së aktgjykimit”, ka thënë Musa.

Mbrojtësi i të akuzuarit Qëndrim Begu, avokati Betim Shala, në fjalën përfundimtare ka kërkuar nga gjykata që t’i merr parasysh të gjitha provat dhe të merr aktgjykim të drejtë.

Ndërsa, mbrojtësi i të akuzuarit Senad Begu, avokati Bardh Ademaj, ka thënë se me rastin e kryerjes së veprave penale nuk ka pasur dashje dhe se të akuzuarit Begu kishin shkuar për ta kërkuar borxhin.

“Me asnjë provë nuk është vërtetuar se ai ka përdorë armë. Provat janë të njëanshme dhe të njëjtat kanë për qëllim që ta ngarkojnë të mbrojturin tim”, shtoi Ademaj.

Fjalën përfundimtare e ka dhënë edhe i akuzuari Qëndrim Begu, i cili ka deklaruar se nuk pajtohet me cilësimin e prokurorisë dhe ka kërkuar drejtësi nga gjykata.

“Shpreh keqardhje për atë që ka ndodhë, asni sen nuk e kom ba me vetëdije. Me pas ditë që përfundon kështu, nuk kisha shku as unë as prindi. Ndihem ende i penduar, me mujtë me e ngjallë, e kisha ngjallë. Unë e kam pas shok dhe deri atë natë kemi vepru e kemi ngrënë bukë bashkë. M’u ka imponu me u vetëmbrojt. Ma kanë sulmu babën dhe unë vetëm kam dashur me i largu”, shtoi ai.

Kurse, i akuzuari Senad Begu ka thënë se nuk kishte pasur as qëllim dhe as dashje deri te kryerja e veprave penale.

Shpallja e aktgjykimit do të bëhet më 16 shtator 2020, në ora 9:45.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 31 maj 2016, të akuzuarit Qëndrim dhe Senad Begu i kishte shpallur fajtorë për vrasjen e Sevdaim Sinanit dhe plagosjet e Kajtaz, Gëzim dhe Adile Sinani.

Qëndrim Begu ishte dënuar me 17 vjet burgim për vrasje të rëndë, ndërsa Senad Begu ishte dënuar me 7 vjet burgim për tentim vrasje.

Ndërsa, për armëmbajtje pa leje, dy të akuzuarit ishin dënuar me nga 500 euro gjobë.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, si dhe pala e dëmtuar, të pa kënaqur me dënimin, kishin paraqitur ankesë ndaj këtij aktgjykimi.

Ankesë kishin paraqitur edhe mbrojtësit e të akuzuarve për shkak të shkeljeve të dispozitave të procedurës penale, vërtetimit të gabuar të gjendjes faktike dhe vendimit për dënim.

Kurse, Gjykata e Apelit më 11 tetor 2016, kishte marrë aktvendim me të cilin kishte aprovuar ankesat e mbrojtësve të Qëndrim dhe Senad Begu dhe çështjen e kishte kthyer në rigjykim.

Në vendimin e Apelit, thuhej se kjo gjykatë ka gjetur se aktgjykimi i shkallës së parë është i përfshirë me shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, kjo për arsyeje se dispozitivët e aktgjykimit për të akuzuarit Qëndrim dhe Senad Begu, janë të pakuptueshëm dhe në kundërthënie me arsyet e paraqitura në aktgjykim.

Pas kthimit të rastit në rigjykim, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 17 maj 2019 i kishte shpallur sërish fajtorë të akuzuarit Qëndrim dhe Senad Begu.

Për veprën penale “vrasje e rëndë”, Qëndrim Begu ishte dënuar me 17 vjet burgim, për veprën penale “vrasje e rëndë në tentativë” 3 vjet burgim, kurse për armëmbajtje pa leje, gjykata i kishte shqiptuar dënim me gjobë në shumë prej 500 euro.

Më pas, ndaj tij ishte shqiptuar dënimi unik prej 19 vjet burgim.

Kurse, i akuzuari Senad Begu ishte dënuar me 7 vjet burgim për veprën penale “vrasje e rëndë” në bashkëkryerje, 5 vjet për veprën penale “vrasje e rëndë” në tentativë, si dhe 500 euro gjobë për armëmbajtje pa leje.

Të njëjtit, gjykata i kishte shqiptuar dënim unik në kohëzgjatje prej 11 vjetësh.

Kundër këtij vendimi kishin ushtruar ankesë mbrojtësit e të akuzuarve dhe prokuroria e Apelit, ku ankesat e mbrojtësve janë aprovuar si të bazuara nga Gjykata e Apelit.

Në vendimin e nxjerrë nga kjo gjykatë, thuhet se gjykata e shkallës së parë duhet t’i evitojë shkeljet esenciale të dispozitave të procedurës penale, t’i nxjerrë të gjitha provat me dëgjimin e dëshmitarëve si dhe të dëgjohet eksperti i balistikës lidhur me grimcat e barutit dhe përbërjen kimike të saj.

Ndërkaq, sipas aktakuzës së ngritur më 13 gusht 2012, nga Prokuroria e Qarkut në Prishtinë, të pandehurit Qëndrim dhe Senad Begu akuzohen se më 1 mars 2012, në Podujevë, kishin privuar nga jeta tani të ndjerin Sevdaim Sinani.

Siç thuhet në aktakuzë, pas një mosmarrëveshje që kishin pasur për shkak të një borxhi, të pandehurit kishin shkuar tek shtëpia e të ndjerit Sinani për t’ia kërkuar borxhin, ku më pas kishte filluar grindja në mes të Gëzim Sinanit, babait të tij Kajtazit, dhe të ndjerit Sevdaim, si dhe në mes të Sinan Begut, Qëndrim Begut dhe Xh. A.

Gjithnjë sipas aktakuzës, gjatë kësaj përleshje, i pandehuri Qëndrim Begu kishte marrë revolen nga i ati i tij, Senad Begu, dhe kishte shtënë në drejtim të tani të ndjerit Sevdaim Sinani, ku më pas i njëjti kishte ndërruar jetë. Po ashtu, ai kishte shtënë edhe në drejtim të Kajtaz Sinanit, duke e goditur në gju, nga e cila goditje kishte pësuar lëndime të lehta trupore.

Tutje, në aktakuzë thuhet se i pandehuri Senad Begu ia kishte marrë revolen të pandehurit Qëndrim Begu, dhe kishte shtënë në drejtim të Gëzim dhe Adile Sinani, duke u shkaktuar lëndime të lehta trupore.

Për këtë, ata po akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “vrasje e rëndë”, nga neni 147, nënparagrafi 4, dhe tre vepra penale “vrasje e rëndë në tentativë”, nga neni 147, nënparagrafi 4 lidhur me paragrafin 20 dhe 23 të Kodit Penal të Kosovës.

Po ashtu, të pandehurit Begu po akuzohen se nga data e pa vërtetuar e deri më 1 mars 2012, kishin mbajtur në posedim armën e llojit revole, e cilën e kishin përdorur e për të cilën nuk kishin poseduar leje.

Për këtë, secili veç e veç po akuzohet për kryerjen e veprës penale “mbajtja në pronësi, kontroll, posedim ose në shfrytëzim të paautorizuar të armëve”, nga neni 328, paragrafi 2, i Kodit Penal të Kosovës.