Përfundon gjykimi për tentim vrasje dhe lëndim të lehtë trupor

14 maj foto
Author

Raporton: Driton NOCAJ

Maj 14, 2019

Pejë – Prokuroria Themelore në Pejë, ka kërkuar që i akuzuari për tentim vrasje, Dardan Manaj të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit.

Prokurori Agron Galani, gjithashtu ka kërkuar dënim edhe për dy të akuzuarit për lëndim të lehtë trupor, Astrit Ibishi dhe Fiton Kurbogaj.

Ndryshe, nga dy të akuzuarit Ibishi dhe Kurbogaj, i akuzuari Dardan Manaj, e kishte pranuar fajësinë në shqyrtimin fillestar, ndërsa dy të tjerët ishin deklaruar të pafajshëm.

Në seancën e së martës në Gjykatën Themelore në Pejë, është dhënë fjala përfundimtare nga dy të akuzuarit që ishin deklaruar të pafajshëm, si dhe e prokurorit të rastit, Agron Galani.

Mbrojtësi i të akuzuarit Dardan Manaj, avokati Gëzim Kollqaku, ka thënë se klienti i tij që nga fillimi i procedurës penale e ka pranuar fajësinë, duke shprehur keqardhje dhe pendim të thellë për veprimet e tij.

“Jam shumë i sigurt se sikur të mos kishte provokim nga ana e të dëmtuarit fare nuk do të kishte vepër penale”, ka thënë avokati Kollqaku

Ai ka propozuar që ndaj klientit të tij, të shqiptohet një dënim nën minimunim e paraparë ligjor.

I akuzuari Manaj, në fjalën përfundimtare ka thënë se shpreh keqardhje për rastin që ka ndodhur.

Para fjalës përfundimtare, dy të akuzuarit që kishin mohuar fajësinë për veprën penale të lëndimit të lehtë trupor Astrit Ibishi dhe Fiton Kurbogaj kanë dhënë mbrojtjen e tyre.

I akuzuari Astrit Ibishi, ka mohuar t’i ketë shkaktuar lëndime trupore të dëmtuarit Alban Blaka në natën kritike, ndërsa ka pranuar se i akuzuari Manaj kishte shtënë me armë dhe se të dëmtuarin e kishte goditur me teh të armës në kokë.

“Derisa Dardani ishte duke dal nga lokali, Albani u ngrit në këmbë dhe e ka goditë në nofull. Mua më ka kap paniku. Albani është larguar me vrap nga lokali dhe unë kam vrapuar pas tij nën afekt. Pas meje ka ardhë Dardani dhe ka fillu me shtënë një apo dy herë. Albani tu ikë ka marrë në thu dhe më pas Dardani e ka goditë me qyk të alltisë dy herë në kokë”, ka thënë i akuzuari Ibishi.

Ai ka mohuar ë ketë thirr Manajn në lokal dhe se ai vetëm i kishte ndarë Dardan Manaj dhe Alban Blaka.

Kurse, i akuzuari Fiton Kuboga, ka deklaruar se nuk e mohon se në natën kritike kishte qenë në lokalin “Toskana”, mirëpo ka mohuar të ketë qenë prezent në kohën kur ka ndodhur  ngjarja  kritike.

Ai ka deklaruar se kishte shoqëri me pandehurin Dardan Manaj dhe Astrit Kurbogajn, kurse të dëmtuarin ka thënë se nuk e njihte.

Në këtë seancë, ka dhënë dëshminë edhe dëshmitari Leonard Loci, i cili ka deklaruar se nuk i kujtohej nëse i akuzuari Manaj ishte në lokalin “Toskana”, në natën kritike.

Gjithashtu, në seancën e së martës, është dëgjuar edhe mjeku Naim Loxha, i cili kishte bërë raport mjekësor lidhur me lëndimet e të dëmtuarit Alban Blaka.

Loxha ka thënë se te i dëmtuari gjenden dy plagë tejshpuese, të cilat sipas tij, natyra e lëndimeve të tilla hyn në lëndime të lehta trupore.

Shpallja e aktgjykimit në këtë rast është caktuar të bëhet më 17 maj, në ora 11:00.

Ndryshe, në seancën fillestare të mbajtur më 21 janar të vitit 2019, i akuzuari Dardan Manaj, e kishte pranuar fajësinë për tentim vrasje dhe për armëmbajtje pa leje.

Kurse, dy të akuzuarit për lëndim të lehtë trupor, Astrit Ibishi dhe Fiton Kurbogaj, ishin deklaruar të pafajshëm.

Sipas aktakuzës së ngritur më 30 nëntor 2018, Dardan Manaj akuzohet se më 11 shtator 2018, rreth orës 22:17, në rrugën “Nënë Tereza” në Pejë, në afërsi të kafiterisë “Toskana”, për shkak të mosmarrëveshjeve me dashje ka tentuar ta privojë nga jeta të dëmtuarin Alban Blaka.

Gjithmonë sipas aktakuzës, derisa ishin brenda kafiterisë “Toskana”, papritmas i dëmtuari me grusht e godet të pandehurin Manaj dhe me vrap fillon të largohet nga lokali, ndërsa, pas tij vrapojnë i pandehuri Astrit Ibishi dhe i pandehuri Dardan Manaj, i cili ka bërtitur më zë të lartë “ndal”, “kush je”, mirëpo pasi Blaka vazhdon të vrapojë, në atë moment i pandehuri Manaj nga çanta e tij nxjerr pistoletën “SIG SAUER”, duke shtënë dy herë në drejtim të dëmtuarit, me ç’rast më një predhë e godet në pjesën e sipërme të kokës dhe i dëmtuari rrëzohet para dyqanit të Fiton Kurbogaj.

Me këto veprime, sipas aktakuzës, Manaj akuzohet se ka kryer veprën penale të vrasjes së mbetur në tentativë dhe armëmbajtje pa leje.

Ndërsa, në dispozitivin tjetër të aktakuzës, të pandehurit Astrit Ibishi dhe Fiton Kurbogaj akuzohen se në rrugën “Nënë Tereza”, pasi i dëmtuari Blaka rrëzohet, e godasin të njëjtin dy herë me grushte në pjesë të ndryshme të trupit, duke i shkaktuar lëndim të lehtë trupor. /Betimipërdrejtësi