Përfundon gjykimi për fajde, i akuzuari mohon fajësinë, prokuroria kërkon dënimin e tij

15 maj foto fajde
Author

Raporton: Driton NOCAJ

Maj 15, 2019

Pejë – Prokuroria Themelore në Pejë ka kërkuar që i akuzuari për fajde, Artan Gjocaj, të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit.

Një propozim të tillë, e ka dhënë prokurorja e rastit, Sahide Gashi, në seancën e së mërkurën në Gjykatën Themelore në Pejë, ku është dhënë fjala përfundimtare nga palët në procedurë.

Gjocaj akuzohet se të dëmtuarit Rifat Jasiq ia kishte dhënë shumën prej 45 mijë euro në afat prej një muaji dhe në momentin kur i dëmtuari nuk ka pasur mundësi t’ia kthejë këtë shumë, i pandehuri nga i njëjti ka kërkuar dhe pranuar, për çdo muaj vonesë 4.2% kamatë gjegjësisht, 1900 euro, përveç borxhit bazë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në fjalën e saj përfundimtare, prokurorja Gashi, ka thënë se fajdeja është dëmi më i madh që mund t’i shkaktohet një shteti, pas korrupsionit dhe informalitetit.

Sipas prokurores, në këtë proces gjyqësor, është vërtetuar se i dëmtuari Rifat Jasiq, ishte detyruar të paguajë në emër të fajdesë të akuzuarit Gjocaj 1900 euro, për çdo muaj.

“Nga të gjitha këto prova fillimisht i akuzuari i ka dhënë 45 mijë euro, por kur i dëmtuari s’ka mundur t’i kthej është detyruar të paguajë fajde 1900 euro në muaj, prej shumës 26 mijë euro, e cila shumë prej 1900 euro është nënshkruar. I pandehuri nuk e ka mohuar asnjë rast se në rastin e marrës se të hollave nga i dëmtuari ka nënshkruar në fletoren e zezë për marrjen e shumës prej 1900 euro”, ka thënë prokurorja Gashi.

Ajo ka deklaruar se i dëmtuari për shkak të kërcënimeve rreth pagesës se fajdeve është detyruar të fshihet në Prishtinë.

Ndërsa, për shumën e të hollave prej 11 mijë e 700 euro, të konfiskuara në rastin e bastisjes së shtëpisë së të akuzuarit Gjocaj, sipas prokurores, rezultojnë nga vepra penale e fajdesë.

Nga ana tjetër, mbrojtësi i të akuzuarit Artan Gjocaj, avokati Gëzim Kollqaku, ka thënë se në këtë shqyrtim kryesor me asnjë provë nuk është vërtetuar se në veprimet e të mbrojturit të tij ekzistojnë elementet e veprës penale.

“Vet dispozitivi i akuzës është në kundërshtim me ligjin dhe provat materiale, sepse prokurorja ka thënë në akuzë se i pandehuri e ka shfrytëzuar mendjelehtësinë e të dëmtuarit, kurse ligji inkrimonon vetëm papërvojën, shfrytëzimin e gjendjes financiare”, ka thënë Kollqaku.

Ai ka shtuar se aktakuza ishte e mbështetur në dy prova materiale për të cilat Prokurorja e Shtetit, sipas tij, mendon se janë elemente të veprës penale.

“Prova e parë është thirr në provën nr.7 në transkriptin e 1 gushtit 2016, shtat muaj pasi që janë kthyer paratë, e kjo provë është e papranueshme, sepse është krijuar nga vet Rifati sepse nuk është krijuar me masa të fshehta. Prova e dytë që prokurorja e ka marrë për bazë është një fletore që është falsifikuar nga vetë Rifati”, ka deklaruar avokati Kollqaku.

Ai ka thënë se kur prokurorja thotë se i dëmtuari Jasiq nuk ishte i sinqertë dhe i pasigurt në deklaratat e tij, atëherë sipas Kollqakut, si mundet që gjykata t’ia fal besimin, kur prokurorja nuk ka besim në të dëmtuarin.

Ndër të tjera, avokati Kollqaku, ka thënë se kishte dorëzuar 11 prova materiale, me të cilat provohet se shuma e sekuestruar nuk ishte rezultat i veprës penale.

Ai ka kërkuar nga gjykata që të mbrojturin e tij ta lirojë nga akuza dhe të shfuqizojë urdhrat ndalues për veturën e tij.

Para se të jepej fjala përfundimtare, i akuzuari Artan Gjocaj, ka mohuar se i kishte dhënë para me fajde tani të dëmtuarit Rifat Jasiq.

Ai ka thënë se i dëmtuari kishte pasuri dhe i njëjti kishte kërkuar nga ai të holla për huazim, por që ka mohuar që ato para t’i jenë dhënë në formë të fajdesë.

“Rifati më ka thënë a mundesh me mi gjet 10 mijë euro për një muaj për rregullimin e një lokali, unë i besova se mu kajt shumë, ngase e njoh që mbi 30 vite dhe ia kam dhënë, kurse pas një muaji e gjysmë mi ka kërkuar 35 mijë euro për me mbyll një kredit për me mshel një tjetër. Të gjitha këto të holla ia kam dhënë dhe kemi ba një marrëveshje me shkrim ku kemi nënshkruar unë Rifati dhe djali i tij”, ka thënë i akuzuari Gjocaj.

Këtë shumë prej 45 mijë eurove, ai ka deklaruar se ishin marrë vesh që i dëmtuari t’i kthejë pas katër muajsh.

“Këto të holla nuk mi ka kthyer në afat dhe pas gjashtë muajsh më ka thënë se a mundesh me mi gjet 200 mijë euro me kamatë 1% ose 2% se ti i ki do shokë nga Gjermania. Unë s’kam mujt mia dhanë këto para, por pas disa ditësh i kam thënë Rifatit se muj me ti gjet me kamatë”, ka thënë ai.

I akuzuari ka deklaruar se kishte gënjyer të dëmtuarin se kinse atij do t’ia sigurojë 200 mijë euro, pasi i dëmtuari t’ia kthejë borxhin prej 45 mijë euro.

“Pasi i kam premtuar se nëse mi kthen 45 mijë euro do t’i sigurojë 200 mijë euro, ai mi ka pru të hollat dhe pasi i kam marrë 45 mijë euro nga Rifati nuk ia kam dhënë shumën 200 mijë euro se s’kam pas ku mi marrë”, ka thënë ai.

Ndër të tjera, Gjocaj ka mohuar në tërësi se kishte nënshkruar në një fletore pasi i dëmtuari ia kishte dhënë 1900 euro për çdo muaj në emër të fajdesë.

Mirëpo, me këtë deklarim prokurorja Sahide Gashi, e ka ballafaquar të pandehurin me deklaratën e tij të dhënë në polici, i cili kishte thënë se ishte nënshkrimi i tij në fletore në të cilën përshkruheshin shuma e dhënies së të hollave nga Jasiq.

Një pretendim të tillë, e ka mohuar Gjocaj, duke thënë se ai ishte nënshkruar vetëm në marrëveshjen e bërë me shkrim dhe se nënshkrimi në fletore nuk ishte i tij.

Shënimet dhe nënshkrimet në fletore për shumën e 1900 euro, të cilat sipas prokurorisë, i kishte paguar Jasiq në emër të fajdesë, i akuzuari ka thënë se në asnjë rast nuk ishte nënshkrues në këtë fletore.

Sipas tij, pjesa e nënshkrimit të tij ishte shqyer dhe ishte bartur në fletore.

Duke u përgjigjur në pyetjet e prokurores Sahide Gashi, i pandehuri Gjocaj ka thënë se nuk ishte e vërtetë se kishte pranuar para në emër të borxhit nga i dëmtuari Jasiq, për periudhën kohore prej 14 mars 2015, deri më 29 janar 2016.

Në pyetjen e prokurores Gashi se a ishte e vërtetë se i dëmtuari Jasiq ka kërkuar nga ai që pagesat mujore në shumë prej 1900 euro të shtyhen për shkak të gjendjes së tij ekonomike, i akuzuari ka thënë se nuk ishte e vërtetë.

Duke u përgjigjur në pyetjen e prokurores, i akuzuari ka deklaruar se ishte e vërtetë se kishte blerë pronë prej mbi 200 mijë euro.

Kryetari i trupit gjykues, Sylë Lokaj, ka thënë se shpallja e aktgjykimit do të bëhet më 17 maj 2019, në ora 14:00.

Ndryshe, sipas aktakuzës të ngritur nga Prokuroria Themelore në Pejë më 30 nëntor 2017, i pandehuri Artan Gjocaj akuzohet se gjatë periudhës 13 mars 2015 e gjerë më 29 janar 2016 në Deçan, ka shfrytëzuar mendjelehtësinë e të dëmtuarit Rifat Jasiq, me qëllim që të përfitojë pa asnjë angazhim duke kontraktuar kamatë joproporcionale për borxhin e dhënë.

Sipas akuzës, pasi të dëmtuarit i kishte arritur për pagesë shuma prej 140 mijë euro nga “ProCredit Bank”, i njëjti ka kërkuar hua nga i akuzuari Gjocaj për ta shlyer kreditin, në mënyrë që  pastaj me kredi tjetër t’ia kthej huan të akuzuarit.

I pandehuri pasi ia kishte dhënë shumën prej 45 mijë eurove, me kusht kthimi prej një muaji, në momentin kur i dëmtuari nuk ka pasur mundësi ta kthejë këtë shumë brenda këtij afati, i pandehuri ka kërkuar dhe pranuar për çdo muaj vonesë 4.2 %, gjegjësisht 1900 euro në muaj, përveç borxhit bazë, duke përfituar kështu shumën prej 26 mijë euro. /Betimipërdrejtësi