Përfundon gjykimi në rastin ku subjekti juridik “Fruti” po kërkon anulimin e vendimit të Administratës Tatimore të Kosovës

Pallati i Drejtesise, Prishtine, 03.06.15. Photo:Atdhe Mulla
Author

Raporton: Tringa RAMADANI

Nëntor 12, 2020

Prishtinë – Të enjten, në Gjykatën Themelore të Prishtinës, Departamenti për Çështje Administrative, ka përfunduar gjykimi në konfliktin administrativ, ku paditësi – subjekti juridik “Fruti” po kërkon anulimin e vendimit të ATK-së (Administrata Tatimore e Kosovës).

E paditura – ATK, Divizioni i Ankesave, kishte nxjerrë vendim me të cilin kishte refuzuar ankesën e subjektit “Fruti”, me pronar Besnik Nuredini, duke e vërtetuar si të bazuar vendimin e ATK-së – Njësia Regjionale në Prizren, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në vendim thuhet se me rastin e vizitave nga e paditura – Inspektori Tatimor, paditësit ishte gjobitur me ndëshkime administrative, për çka paditësi kishte ushtruar ankesë me pretendimet se i njëjti ishte ngarkuar me tatim shtesë.

Sipas padisë, bazuar në konstatimet e njëanshme të të paditurës, pas dy vizitat tek paditësi, të njëjtit i kishte shqiptuar gjoba administrative në shumë prej 3,106.67 euro, për shkak të mos krijimit dhe mos mbajtjes së regjistrimeve konform Ligjit për Administratën Tatimore dhe Procedurat si dhe për shkak të konstatimit të mallit pa origjinë në kundërvlerë prej 11,926.65 euro.

Siç thuhet në padi, paditësi konsideron se vendimi për shqiptimin e gjobave është në kundërshtim me dispozitat e Udhëzimin Administrativ, për çka nuk ekziston baza ligjore për aplikimin e ndëshkimeve administrative, pasi që tatimpaguesi me rastin e vizitës përmbushëse nga ATK-ja është në vlerë 233.60 euro.

Gjithnjë sipas padisë, në aktin e atakuar nuk janë aplikuar drejtë dispozitat ligjore, nuk është vepruar sipas rregullave të procedurës, duke mos u vërtetuar drejtë gjendja faktike, si dhe e drejta materiale është aplikuar gabimisht.

Për këtë, paditësi pretendon se me këto veprime janë shkelur procedurat, ku përcaktohet se “Kur një person i angazhuar në aktivitet ekonomik posedon mallra pa origjinë, ai person do t’i nënshtrohet ndëshkimit administrativ me 25% të vlerës së tregut të mallrave”.

Bazuar në këtë, paditësi pretendon se detyrimi për pagesën e ndëshkimit do të duhej të ishte 58.40 euro.

Tutje, në padi thuhet se vendimit të atakuar i mungon baza ligjore me të cilat do të arsyetohej fakti se pse paditësi duhet të paguaj gjoba administrative në shumë të përgjithshme prej 2,923 euro si dhe e ka detyruar paditësin që pa bazë ligjore të paguaj tatime shtesë në shumë të përgjithshme prej 3,106.67 euro, e që sipas paditësit, duhet të paguhet vetëm shuma prej 183.40 euro.

Përfaqësuesi i paditësit, avokati Bajram Morina, në fjalën përfundimtare deklaroi se mbetet pranë padisë, duke e konsideruar si të pabazuar vendimin e atakuar.

“Në bazë të provave të cilat janë propozuar nga paditësi, e që u administruan nga gjykata, vërtetohet se shuma e mallit pa origjinë e konstatuar nga e paditura sipas formularit për vizitë përmbushëse është 233.60 euro. Sipas kësaj baze, detyrimi i paditësit është 58.40 euro si ndëshkim në masë prej 25% të kësaj vlere”, tha avokati Morina.

Po ashtu, ai i ka propozuar gjykatës që për këto shkaqe, ta aprovoj në tërësi kërkesëpadinë si dhe ta prish dhe ta ndryshoj vendimin e të paditurës në dobi të paditësit, në atë mënyrë që paditësi të detyrohet të paguaj gjobë vetëm në shumë prej 183.40 euro që paraqet ndëshkimin prej 25% të vlerës së mallit të konstatuar pa origjinë dhe dënimin apo gjobës mandatore prej 125 euro për mos mbajtje të evidencave. /BetimipërDrejtësi