Përfundon gjykimi në rastin ku pesë paditësit kërkojnë nga Komuna e Prishtinës kompensimin e pagave jubilare dhe shujtave ditore

07.12.2020
Author

Raporton: Valentina SHAHINI – GRAJҪEVCI

Janar 13, 2021

Prishtinë – Në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka përfunduar procedura civile në rastin ku paditësit Gëzime Haxholli, Ramiz Matoshi, Hasan Gërbeshi, Blerina Veliu dhe Sofije Mekolli – Gashi po kërkojnë nga e paditura Komuna e Prishtinës, kompensimin e pagave jubilare dhe shujtave ditore.

Fillimisht në seancën e së mërkurës, gjykatësja e rastit Hidajete Gashi e ka lejuar precizimin e kërkesëpadisë të përfaqësuesit të paditësve, avokatit Labinot Buzuku, me të cilën parashtresë i njëjti ka kërkuar kompensimi i pagave jubilare dhe shujtave ditore për pesë paditësit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në këtë parashtresë, për paditësen Haxholli, përfaqësuesi i paditësve, ka kërkuar shumën e përgjithshme prej 1,375.75 euro, për paditësin Matoshi ka kërkuar shumën prej 1.477.00 euro, për paditësin Gërbeshi ka kërkuar shumën prej 1,679.50 euro, për paditësen Veliu shumën prej 742.00 euro dhe për paditësen Mekolli-Gashi ka kërkuar shumën prej 1.293.75 euro.

Pas kësaj, në këtë seancë është bërë administrimi i provave dhe është dhënë fjala përfundimtarë nga palët ndërgjyqëse.

Përfaqësuesi i paditësve, avokati Buzuku në fjalën e tij përfundimtare ka deklaruar se nga provat e administruarës është vërtetuar baza juridike e kërkesëpadisë si dhe lartësia saj, ku për pagën bazë i njëjti ka thënë se është bazuar në neni dy të kontratës së punës për stafin arsimore dhe për shujta ditore për ditët.

Tutje, Buzuku ka kërkuar nga gjykata që padia e paditësve të aprovohet në tërësi si e bazuar, si dhe i ka kërkuar edhe shpenzimet e procedurë në shumën prej 1.049.60 euro.

Në anën tjetër, përfaqësuesja e të paditurës, Vjollca Rexhepi ka deklaruar se qëndron pranë përgjigjes në padi, duke shtuar se një kompensim i tillë nuk është paraparë me Ligjin e Punës, dhe se sipas saj Komuna e Prishtinës në skemën e saj buxhetore nuk ka paraparë linjë të posaçme për këtë lloj kompensimi, prandaj mbi bazën e këtyre fakteve e njëjta i ka propozuar gjykatës që kërkesëpadinë e paditësve ta refuzoj në tërësi si të pa bazuar.

Pas dëgjimit të palëve ndërgjyqëse, gjykatësja Gashi ka deklaruar se shqyrtimi gjyqësor në këtë kontest është i përfunduar dhe palët me kohë do të njoftohen me vendimin.

Ndryshe, sipas padisë të ushtruar më 13 dhjetor 2019, paditësit po kërkojnë nga Komuna e Prishtinës kompensimin e pagave jubilare dhe shujtave ditore.

Në padi thuhet se, paditësit janë të punësuar pran Institucionit Arsimor SHFMU “Afrim Gashi”, në pozitën e mësimdhënësit klasor.

Në padi pretendohet se, e paditura nuk ka bërë kompensimin e shujtave ditore në lartësi prej 2 euro që nga 18 prill 2017, siç parashihet në Kontratën Kolektive të Arsimit në Kosovë.

Sipas padisë, baza e kërkesëpadisë është e mbështetur në nenin 35 të Kontratës Kolektive të Arsimit në Kosovës.

Mbi këto bazë, paditësit po kërkojnë nga gjykata që padia dhe kërkesa e tyre të aprovohet në tërësi si e bazuar dhe të detyrohet e paditura që t’ua kompensoj pagat jubilare dhe shujtat ditore. /BetimipërDrejtësi