Përfundon gjykimi në rastin ku paditësja që nga viti 2009 kërkon nga Ibër Lepenci kompensimin e pagave në vlerë mbi 75 mijë euro

thumbnail_image1 (1)
Author

Raporton: Nuraje BLLACA

Prill 29, 2021

Prishtinë – Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ka përfunduar gjykimi i dytë në rastin ku paditësja Adelina Rama Maxhuni, me pretendimin se është larguar nga puna në mënyrë të kundërligjshme po kërkon nga e paditura Ibër Lepenci kompensimin e pagave prej 75,227.21€.

Fillimisht gjykatësi Ylber Shurdhiqi me aktvendim ka lejuar precizimin e kërkesëpadisë sipas parashtresës së dorëzuar më 11 mars 2021 nga i autorizuari i paditëses, avokati Besim Tafa.

Të enjten, është dëgjuar edhe ekspertja financiare Mihrije Morina, ku në pyetjen e gjykatësit Shurdhiqi, e njëjta ka deklaruar se qëndron në tërësi pranë plotësimit të ekspertizës të përpiluar më 23 qershor 2020.

Në pyetjen e përfaqësueses së të paditurës, Naxhije Sadiku se mbi cilën bazë juridike në plotësimin e ekspertizës e ka llogaritur pagën e 13, ekspertja Morina është përgjigjur se është e cekur edhe në ekspertizë, në faqen 9, pas burimeve të marra nga kompania Ibër Lepenci, se në këtë kompani punëtorët realizojnë pagën e 13 në fund të vitit.

‘‘Ndërsa llogaritjen për paga e 13 e kam bërë për secilin vit ku janë edhe të prezantuara në ekspertizë, gjithashtu është edhe te mendimi i ekspertes si pikë e veçantë’’, sqaroi ekspertja.

Ndërsa, në pyetjen vijuese të saj drejtuar ekspertes se a është e sigurt se ajo pagë është emëruar si pagë e 13 sepse punëdhënësi me vendim 013368 datës 21.12.2015, ka lejuar paradhënien për të punësuarit në formë akontacioni dhe vetëm për ata që kanë qenë në regjistrin vjetor të muajit dhjetor 2015, ekspertja është përgjigjur se ka llogaritur pagën e 13 në bazë të pagave paraprake dhe sipas informatave të cilat i ka siguruar nga e paditura dhe paditësja, që i kanë realizuar pagat e 13-ta.

‘‘Në atë periudhë asnjë vendim nga e paditura po as nga paditësja nuk më është ofruar, që kanë marr ndonjë lloj bonusi në formë akontacioni’’, shtoi ekspertja Morina.

Tutje, në pyetjen e përfaqësueses Sadiku se duke pasur parasysh që aktgjykimi i Gjykatës së Apelit, rasti pikërisht është kthyer në rigjykim vetëm me u vërtetu nëse paditësja ka pasur të hyra nga ndonjë punëdhënës tjetër, a keni shikuar nëse paditësja ka punuar edhe në ndonjë organizatë ndërkombëtare që përjashtohen nga pagesa e taksës në Kosovë, ekspertja është përgjigjur se është bazuar në trustit pensional të Kosovës ku është një pasqyrë që shpalosen çdo e hyrë e realizuar për një punëmarrës në Kosovë.

‘‘Gjithashtu, pasqyrën e gjendjes së pagave për paditësen e kam të shpalosur për çdo muaj ku ka punuar, kam krijuar diferencë nëse në muaj të caktuar nuk ka punuar, e kam prezantuar në ekspertizë se nuk ka punuar dhe e kam llogaritur pagë të plotë, ka raste ku paditësja me punën momentale ka pasur pagë më të lartë sesa në ndërmarrjen Ibër Lepenci dhe për atë periudhë nuk kam llogaritur të ardhura për paditësen, ndërsa sa i përket për organizata ndërkombëtare, unë nuk kam informata në lidhje se a ka punuar paditësja në ndonjë organizatë të tillë’’, deklaroi ekspertja financiare.

E autorizuara e të paditurës është deklaruar se ka vërejtje në ekspertizë dhe plotësimin e ekspertizës dhe vërejtje në sqarimet e ekspertes, përderisa i autorizuari i paditëses nuk ka pasur vërejtje në sqarimet e ekspertes.

Avokati Tafa deklaroi se pyetjet që përfaqësuesja e të paditurës ia ka parashtruar ekspertes për pagën e 13, sipas tij ishin jo relevante ngase ekspertiza tregon se paga e 13 është llogaritur deri në vitin 2015, kurse përfaqësuesja e të paditurës i referohet një dokumenti i cili është nxjerrë në dhjetor të vitit 2015.

Ai lidhur me kërkesën e përfaqësueses së të paditurës për të rishikuar pasqyrat bankare të paditëses tha se në kuptim të nenit 8 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe nenit 36 të Kushtetutës të Republikës së Kosovës, me të cilin garantohet e drejta e privatësisë, sipas tij një kërkesë e tillë, nuk ka bazë juridike, përderisa theksoi se kompensimi për pagat e paguara është i paraparë me nenin 80 të Ligjit të Punës.

‘‘Ky nen në asnjë mënyrë nuk e parasheh si kriter zvogëlimin e të ardhurave personale në çoftë se ose në rastet kur personi i cili në mënyrë arbitrare është larguar nga puna atëherë t’i zvogëlohet kompensimi në pagë në rastet kur ka punuar në institucione të tjera, por ky është kompensim në emër të vuajtjeve shpirtërore të cilat i pëson një punëtor nga vendimet arbitrare të punëdhënësit’’, deklaroi avokati Tafa.

Këto deklarime i kundërshtoi përfaqësuesja e të paditurës Naxhije Sadiku, duke thënë se për vitin 2015 është vendimi i 21 dhjetor 2015, përkatësisht për akontacionin e vitit 2015, e të cilin vendim ia dorëzoi gjykatës.

E njëjta i propozoi gjykatës që nxjerrët nga BQK-ja se ku ka të hapura llogari paditësja në banka komerciale, dhe pastaj në ato banka komerciale të merret gjendja për periudhën kontestuese dhe të shikohet se sa ka pasur të hyra paditësja, e të cilin propozim e refuzoi me aktvendim gjykatësi Shurdhiqi.

Seanca ka vazhduar me administrimin e provave dhe më pas me fjalët përfundimtare të palëve ndërgjyqëse.

I autorizuari i paditëses në fjalën e tij përfundimtare deklaroi se sipas tij, është vërtetuar se janë plotësuar të gjitha kushtet ligjore, në bazë të të cilave e paditura obligohet që paditëses t’ia kompensojë pagat e humbura në lartësi siç është përcaktuar në plotësimin e ekspertizës financiare.

Ai shtoi se mbetet në tërësi pranë lartësisë dhe periudhës së përcaktuar me parashtresën për precizimin e lartësisë së kërkesëpadisë 11 marsit 2021, duke i propozuar gjykatës që ta aprovojë si të bazuar padinë e paditëses.

Në anën tjetër, përfaqësuesja e të paditurës Naxhije Sadiku në fjalën e saj përfundimtare deklaroi se mbetet në tërësi pranë deklarimeve të mëhershme duke ritheksuar se llogaritja e kompensimit të pagave për periudhën kontestuese është bërë në mënyrë të papranueshme dhe të pabazuar në normat pozitive në Republikën e Kosovës.

Sipas saj ekspertja e ka përfshirë ekspertizën financiare deri në qershor të vitit 2020, ndërsa me precizim të kërkesëpadisë kërkohet deri në dhjetor të 2020, gjë që është në kundërshtim me aktgjykimin Ac.nr.4206/15 të 12 shkurtit 2018, përmes të cilit është vërtetuar se e ka marr formën e prerë aktgjykimi C.nr.2708/09 të 1 shtatorit 2015, ku paditësja e ka fituar të drejtën për kthimin në vendin e punës.

Ajo shtoi se përderisa e njëjta nuk është paraqitur në vendin e punës, por ka vazhduar me procedurë përmbarimore, duke e humbur të drejtën me aktvendimin e fundit Ac.nr.2003/20 të 30 korrikut 2020, për shkak të lëshimit të afateve, duke konsideruar se pagat nuk mund të llogariten siç janë llogaritur në plotësimin e ekspertizës dhe në precizimin e kërkesëpadisë.

Lidhur me këtë çështje Gjykata Themelore në Prishtinë me aktgjykimin C.nr.2708/09 të 1 korrikut 2015 ka vendosur që të aprovohet në tërësi e bazuar kërkesëpadia e paditëses Adelina Rama Maxhuni, duke e anuluar vendimi i të paditurës Ndërmarrja Hidro Ekonomike Publike “Ibër Lepenci”, nr.01-266, të 15 shtatori 2009 si i kundërligjshëm, duke e detyruar të paditurën që paditësen ta kthej në vendin e mëparshëm të punës.

Po ashtu, gjykata me anë të këtij vendimi ka detyruar të paditurën, që paditëses t’ia kompensoi në emër të ardhurave personale për periudhën 15.10.2009 e deri më 29.04.2015, shumën prej 62.166.94 euro bruto, që neto i bie vlera prej 54,771.27 euro me zbritjen e kontributeve pensionale dhe tatimin, dhe pas datës 29 prill 2015 për çdo muaj shumën prej 899.60 euro, deri ne kthimin e paditëses në punë.

Po ashtu, shumën 3,108.35 euro, në emër të kontributit pensional dhe shumën 4,287.33 euro për tatimin në paga, si dhe shpenzimet e procedurës prej 618 euro.

Kundër këtij aktgjykimi ka paraqitur ankesë e paditura, ashtu që Gjykata e Apelit me aktgjykimin Ac.nr.4206/15 të 12 shkurtit 2018, e ka refuzuar pjesërisht të pabazuar ankesa e të paditurës duke e vërtetuar pikën I të aktgjykimit të atakuar lidhur me anulimin e vendimit të të paditurës si të kundërligjshëm dhe detyrimin që paditësja të kthehet në vendin e punës së mëparshëm.

Kurse e ka aprovuar pjesërisht të bazuar ankesën e të paditurës duke e kthyer çështjen në rigjykim dhe vendoje lidhur me pikën II për kompensimin e të ardhurave personale dhe pikën III për kontributin pensional, tatimin në pagë dhe shpenzimet e procedurës.

E që tutje, Gjykata Supreme e Kosovës, me aktgjykimin Rev.nr.160/2018 të 18 qershorit 2018 e ka refuzuar si të pabazuar revizionin e të paditurës, të paraqitur kundër aktgjykimit të Gjykatës së Apelit të Kosovës, Ac.nr.4260/15 të 12 shkurtit 2018.

Ndryshe, sipas padisë së ushtruar më 7 dhjetor 2009, paditësja Adelina Rama Maxhuni ka kërkuar nga gjykata që të anulojë vendimin nr. 01-2606 të 15 shtatorit 2009 mbi shfuqizimin e kontratës të lidhur në mes të paditëses dhe të paditurës nr. 01-2443 të 31 gushtit 2009.

Po ashtu, ka kërkuar që të detyrohet e paditura që ta kthejë paditësen në punë dhe detyra të punës sipas kontratës, duke ia paguar pagën mujore në lartësi prej 846,00 euro në muaj duke llogaritur të njëjtën nga data 15.09.2009, si dhe shpenzimet e procedurës.

Në padi thuhet se, paditësja sipas kontratës valide 01 nr.2443 të 31 gushtit 2009, ka lidhur marrëdhënie të punës në kohë të pacaktuar dhe me orar të plotë tek e paditura, në cilësinë e Shefit të Kabinetit të drejtorit të përgjithshëm.

Tutje, sipas padisë, Kryeshefi ekzekutiv i të paditurës, me vendim arbitrar dhe të kundërligjshëm me vendim 01-2606 të 15 shtatorit 2009, e ka shfuqizuar kontratën e lidhur mes paditëses dhe të paditurës, dhe se me të njëjtin vendim i është shkëputur edhe marrëdhënia e punës, andaj duke mos pasur përgjigje nga ana e të paditurës, ka iniciuar procedurën kontestimore në gjykatë.

Ndërkaq, me parashtresën e paditëses për precizimin e petitumit të kërkesëpadisë të 11 marsit 2021, paditësja kërkon që të detyrohet e paditura, Ibër Lepenci që paditëses Adelina Rama Maxhuni, në emër të kompensimit të pagave të papaguara për shkak të ndërprerjes së marrëdhënies së punës në mënyrë të paligjshme për periudhën 15.10.2009 e deri më 20.06.2020, t’ia paguajë paditëses shumën prej 75,227.21 euro me kamatë ligjore prej 8%, duke filluar nga 23 qershori 2020, kur është nxjerr ekspertiza financiare e deri në pagesën definitive.

Po ashtu, me anë të këtij precizimi e njëjta kërkon që në emër të kontributit pensional të i paguhen në emër të paditëses si punëmarrëse shuma prej 4,275.09 euro si dhe në emër të paditurës si punëdhënës të i paguajë shumën prej 4,275.09 euro, si dhe në emër të tatimit në pagë shumën prej 5,999.53 euro.

E njëjta, ka kërkuar që shumën prej 899.50 euro bruto, në emër të pagës mujore, e paditura t’ia paguajë paditëses nga përpilimi i ekspertizës 23 qershor 2020 e deri më 29 dhjetor 2020, datë kjo ne të cilën paditësja e ka regjistruar biznesin individual si avokate në ARBK, si dhe shpenzimet e procedurës në shumë prej 1,420.80 euro. /BetimipërDrejtësi