Përfundon gjykimi në rastin ku paditësja po kërkon nga MIT afër 70 mijë euro

Raporton: Premton SADIKU

Prishtinë – Në Departamentin për Çështje Ekonomike në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të martën përfundoi gjykimi në rastin ku “Arda Rei” sh.p.k. po kërkon nga Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit (MIT) shumën prej 69 mijë e 400 euro e 32 centë për shkak të pasurimit të pabazë.

Përfaqësuesi i paditëses “Arda Rei”, avokati Kushtrim Palushi deklaroi se me nenin 13, paragrafin 3 të Kushteve të Përgjithshme të Kontratës është përcaktuar që punëdhënësi, në këtë rast e paditura, do të harmonizojë çmimin e kontraktuar nëse konstaton se ka ngritje të tatimeve brenda datës prej 28 ditësh para dorëzimit të tenderit dhe datës së fundit të vërtetimit të përfundimit të punimeve, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Afati i parashkrimit në lidhje me këtë çështje kontestimore është 10 vjet, i cili përcaktohet me LMD-në e vjetër, të miratuar në kohën e ish-Jugosllavisë dhe i cili është i zbatueshëm në rastin konkret për faktin se marrëdhënia kontraktore është lidhur në vitin 2008 dhe ky ligj është zbatuar deri në miratimin e LMD-së së ri, në vitin 2012”, shtoi ai.

Po ashtu, avokati Palushi theksoi se me ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit mbi Marrëdheniet e Detyrimeve (LMD) së vjetër, afati i përgjithshëm për kërkesa është 10 vjeçar.

Kurse, përfaqësuesja e të paditurës Naime Abazi, deklaroi se LMD i vjetër ka qenë i aplikueshëm në Kosovë deri më 22 dhjetor 2013, kur ka hyrë në fuqi LMD i ri.

Paditësja propozoi nxjerrjen e ekspertizës financiare, por gjyqtari Bajram Miftari e refuzoi këtë propozim.

Në fund, palët u pajtuan që fjalën përfundimtare ta dorëzojnë me shkrim.

Ndryshe, sipas padisë së ngritur më 31 janar 2019, paditësja “Arda Rei” sh.p.k. e ka paditur Ministrinë e Infrastrukturës dhe Transportit për shkak të pasurimit të pabazë dukë kërkuar shumën prej 69 mijë e 400 euro e 32 centë.

Gjithnjë sipas padisë, paditësja dhe e paditura kanë lidhur kontratë për “Ndërtimin e rrethrrotullimit në udhëkryqin e rrugëve magjistrale M9 dhe M2 në Prishtinë” në vitin 2008, në shumë prej mbi 11 milionë.

Në padi thuhet se në këtë kontratë është caktuar që punëdhënësi, këtu e paditura do të harmonizojë çmimin e kontraktuar nëse ka ngritje të tatimeve dhe detyrimeve doganore brenda datës prej 28 ditësh para dorëzimit të tenderit dhe datës së fundit të vërtetimit të përfundimit të punimeve.

Siç thuhet në padi, Ligji mbi TVSH-në ka ndryshuar dhe ka hyrë në fuqi më 1 janar 2009, e me këtë ka ndryshuar edhe TVSH nga 16% në 15%, dhe e paditura nuk e ka bërë harmonizimin e çmimit, ashtu që paditësja e ka paguar atë në vlerën prej 16% andaj me këtë padi po kërkon diferencën për 1%. /BetimipërDrejtësi

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. PranoLexo më shumë