Përfundon gjykimi në rastin ku paditësja po kërkon anulimin e vendimit të MPMS-së

Raporton: Donjeta AJVAZI

Prishtinë- Në Departamentin për Çështje Administrative, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ka përfunduar konflikti administrativ në rastin ku paditësja V.Q , po kërkon anulimin e vendimit të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), me të cilin i është refuzuar kërkesa për njohjen e pensionit  me paaftësi të përhershme.

Sipas vendimit të MPMS-së, paditëses i është refuzuar kjo kërkesë me arsyetimin se nuk ka pasur dokumentacion të mjaftueshëm mjekësor, për të qenë përfituese e këtij pensioni, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në seancën e sotme, përfaqësuesi i palës paditëse, avokat, Muhamet Haxha deklaroi se mbetet në tërësi pranë padisë, duke kërkuar që e njëjta të aprovohet nga gjykata .

Në pyetjen e gjyqtares Anita Morina, lidhur me atë se a ka qenë ndonjëherë përfituese e pensionit pala paditëse, përfaqësuesi  i të njëjtës deklaroi se “Asnjëherë nuk i ka takuar ky pension”.

Pas kësaj, gjykatësja Morina  administroi provat materiale dhe konstatoi se procedura e provave në këtë çështje ka përfunduar.

Në fjalën përfundimtare, përfaqësuesi i palës paditëse Haxha i propozoi gjykatës që vendimi i të paditurës të anulohet dhe padia të aprovohet në tërësi si e bazuar.

I njëjti kërkoi nga gjykata që të kompensohen shpenzimet procedurale të paditëses.

Ndryshe, sipas padisë së ushtruar në mars  të vitit 2020, paditësja V.Q , po kërkon nga Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Çështje Administrative, anulimin e vendimit me të cilin i është refuzuar kërkesa për njohjen e pensionit si person me paaftësi të përhershme si e pabazuar me arsyetimin se ankesa e parashtruar kundër vendimit të MPMS-së është e pabazuar dhe paaftësia e përhershme është e pabazuar.  /BetimipërDrejtësi

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë