Përfundon gjykimi në rastin ku paditësja po kërkon anulimin e vendimit të MPB-së

Raporton: Elsa Kollqaku

Prishtinë- Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të mërkurën ka përfunduar konflikti administrativ në rastin ku paditësja Leyla Kocacenk Keskin, po kërkon anulimin e vendimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB).

Me këtë vendim, paditëses i është refuzuar si e pabazuar ankesa për fitimin e shtetësisë së Kosovës me natyralizim, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në seancën e sotme nuk ishin prezente palët ndërgjyqëse, sipas gjykatëses Luljeta Maxhuni të njëjtat janë ftuar në mënyrë të rregullt, por mungesën nuk e kanë arsyetuar.

Në këto rrethana, gjykatësja Maxhuni duke vepruar në kuptim të nenit 48 të Ligjit për Konfliktin Administrativ vazhdoi me administrimin e provave materiale dhe konstatoi se gjykimi në këtë çështje ka përfunduar.

Sipas padisë së ushtruar më 4 dhjetor 2019, paditësja po kërkon nga Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Çështje Administrative, anulimin e vendimit të Komisionit të Ankesave për Shtetësi të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës së Kosovës, me të cilin i është refuzuar ankesa për fitimin e shtetësisë së Kosovës.

Në arsyetimin e vendimit thuhet se paditësja nuk ka poseduar dokumentet e nevojshme që i nevojiten për fitimin e shtetësisë me natyralizim të pjesëtarit të diasporës.

Në padi thuhet se Komisioni i Ankesave për Shtetësi me marrjen e vendimit ka shkelur ligjin duke konstatuar gabimisht se paditësja nuk ka poseduar dokumentet e nevojshme.

Andaj, paditësja me padi po kërkon që vendimi i atakuar të anulohet si i kundërligjshëm dhe çështja të kthehet në rivendosje. /BetimpërDrejtësi

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë