Përfundon gjykimi në rastin ku paditësja po kërkon anulimin e vendimit të Ministrisë së Shëndetësisë

Gj TH Prishtine
Author

Raporton: Tringa RAMADANI

Janar 11, 2021

Prishtinë – Të hënën, në Gjykatën Themelore të Prishtinës, Departamenti për Çështje Administrative, ka përfunduar gjykimi në konfliktin administrativ, ku paditësja – themeluesja e barnatores “Aroma Pharm”, Edona Gashi, po kërkon anulimin e vendimit të Ministrisë së Shëndetësisë – Inspektoratit Shëndetësor.

E paditura – MSH, kishte nxjerrë vendim me të cilin kishte refuzuar ankesën e paditësit si të pabazuar, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në arsyetimin e këtij vendimi thuhet se pas shqyrtimit të ankesës së paditëses është konstatuar se e njëjta nuk përmban fakte të reja dhe se vendimi i kontestuar është i bazuar në të gjetura dhe akte ligjore në fuqi.

Tutje, në këtë vendim thuhet se gjatë inspektimit nga Inspektorët Farmaceutik është konstatuar se barnatorja “Aroma Pharm” kishte qenë duke operuar pa farmacist prezent, në kundërshtim me Udhëzimin Administrativ për qarkulluesit me pakicë për produkte dhe pajisje medicinale.

Në shqyrtimin kryesor të mbajtur të hënën, përfaqësuesi i paditëses Gashi, avokati Gani Sogojeva, deklaroi se vendimi i shkallës së dytë ndaj të cilës paditësja ka parashtruar ankesë është tërësisht kontradiktor dhe nuk ka të bëj me rastin.

“Në arsyetim thuhet se paditësja nuk ka qenë në vendin e punës, por e vërteta është që farmacistja ka qenë prezent me rastin e inspektimit. Paditësja është ndëshkuar për një bar që e ka pas për përdorim personal, dhe atë bar e ka pas afër çantës së saj por nuk ka qenë i ekspozuar për shitje”, shtoi Sogojeva.

Po ashtu, në këtë seancë janë administruar provat si dhe është dhënë fjala përfundimtare, me ç’rast, avokati Sogojeva i ka propozuar gjykatës që të aprovoi padinë si të bazuar dhe të anuloi vendimet e kontestuara si të kundërligjshme.

Sipas padisë së ushtruar më 19 qershor 2017, paditësja Edona Gashi ishte ndëshkuar me gjobë në vlerë prej 1000 euro për shkak të posedimit të produkteve medicinale në kundërshtim me legjislacionit në fuqi.

Siç thuhet në padi, gjatë kontrollimit nga Inspektorët Shëndetësor, në barnatoren e paditëses Gashi ishte gjetur një eksponat i dy apo tre barnave që paditësja i kishte poseduar për nevoja personave e të cilat nuk kishin qenë të ekspozuara në rafte të shitjes, kurse në arsyetimin e vendimit të atakuar thuhet se barnatorja ka poseduar produkte medicinale në kundërshtim me ligjin.

Gjithnjë sipas padisë, ndaj këtij vendimi paditësja kishte ushtruar ankesë në shkallë të parë, mirëpo ishte refuzuar, me arsyetim krejtësisht tjetër ku thuhet se farmacistja nuk ka qenë në vendin e punës, por që sipas padisë, ditën e inspektimit pronarja kishte qenë aty. /BetimipërDrejtësi