Përfundon gjykimi në rastin ku paditësja kërkon nga Komuna e Prishtinës 900 euro kompensim për shujta ditore

Image-1
Author

Raporton: Nuraje BLLACA

Prill 7, 2021

Prishtinë – Të mërkurën, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ka përfunduar procesi në rastin ku paditësja Shefkije Musa-Haxholli po kërkon që e paditura Komuna e Prishtinës t’i paguajë shumën prej 900 euro, në emër të shujtave ditore.

Përmes padisë së ushtruar gjatë vitit 2020, paditësja Musa-Haxholli, kërkesën e saj e ka mbështetur në Kontratën Kolektive të Arsimit, konkretisht në nenin 35 paragrafi 7, në bazë të së cilës thuhet se i takon kompensimi i ushqimit gjatë punës, në ditët e pranisë në punë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

I autorizuari i paditëses, avokati Lutfi Tahiri, gjatë kësaj seance ka deklaruar se mbeten në tërësi pranë padisë dhe kërkesëpadisë të parashtruar në gjykatë, ashtu që të detyrohet e paditura Komuna e Prishtinës që paditëses, në emër të shujtave, t’ia paguaj shumën prej 900 euro, për 450 ditë të pranisë në punë për periudhën nga 18 prilli 2017 e deri më 13 janar 2020.

Po ashtu, Tahiri ka thënë se si palë paditëse konsiderojnë që kërkesëpadia e paditëses është e bazuar dhe e mbështetur në prova, andaj i ka propozuar gjykatës që si të tillë të njëjtën ta aprovojë në tërësi.

Tutje, gjykatësi Dardan Kadolli me aktvendim ka obliguar paditësen që në emër të taksës gjyqësore për padi të paguajë 20 euro, në afat prej 15 ditësh nga seanca e sotme, duke qenë se pala paditëse nuk e ka paguar taksën gjyqësore me rastin e parashtrimit të padisë në gjykatë.

Seanca ka vazhduar me administrimin e provave dhe më pas me dhënien e fjalës përfundimtare nga avokati Tahiri.

Ai deklaroi se padia dhe kërkesëpadia është e bazuar në tërësi në provat që ja kanë bashkangjitur padisë, prandaj kërkuan që si e tillë të aprovohet në tërësi, duke u detyruar e paditura që në emër të ditëve të pranisë në punë për shujta ditore, për periudhën kohore 18 prill 2017 deri më 13 janar 2020, për 450 ditë të pranisë në punë t’ia paguajë shumën prej 900 euro me kamatë ligjore prej 8% nga dita e parashtrimit të padisë deri në pagesën definitive, si dhe ka kërkuar shpenzimet e procedurës.

Në këtë seancë nuk ka prezantuar askush për të paditurën, për të cilën gjykatësi Kadolli tha se ka prova që e njëjta është ftuar në mënyrë të rregullt, mirëpo mungesën  nuk e ka arsyetuar.

Ndryshe, sipas padisë  së ushtruar më 24 gusht 2020, paditësja Shefkije Musa-Haxholli është e punësuar pranë shkollës fillore “Xhavit Ahmeti” në Prishtinë dhe se që nga hyrja në fuqi e Kontratës Kolektive me 18 prill 2017,  paditëses Musa-Haxholli nuk i janë kompensuar nga dy euro për secilën ditë të pranisë në punë.

Në padi thuhet se paditësja kërkesën e saj e ka bazuar në Kontratën Kolektive për Arsim konkretisht në nenin 35, paragrafin 7, me anë të cilit parashihet kompensimi i shujtave ditore.

Bazuar në padi, paditësja i është drejtuar të paditurës me kërkesë për kompensim për ushqim gjatë punës, mirëpo e njëjta thuhet se deri në ushtrimin e kësaj padie nuk i ka kthyer përgjigje.

Mbi këtë bazë, ajo po kërkon nga gjykata që të obligohet e paditura që asaj në emër shujtave ditore, t’ia kompensoj shumën e përgjithshme prej 900 euro, prej datës 18.04.2017 deri më 13.01.2020 dhe atë me kamatë ligjore prej 8%, si dhe shpenzimet e procedurës. /BetimipërDrejtësi