Përfundon gjykimi në rastin ku paditësja kërkon mbi 9000 euro kompensim nga Telekomi i Kosovës

A Gjykata
Author

Raporton: Valentina SHAHINI – GRAJҪEVCI

Nëntor 8, 2019

 


Prishtinë – Në Gjykatën Themelore, të premten, ka përfunduar procedura civile në rastin ku paditësja, Burbuqe Hana, po kërkon nga Telekomi i Kosovës, kompensimin e 9,513.00 euro, në emër të diferencës në gradë.

Këtë shumë, ajo e kërkon me pretendimin se Telekomi i Kosovës, pa të drejtë ia ka zbritur gradën dhe atë nga grada 12 në gradën 11, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Lidhur me këtë rast, të premten, në seancën  e shqyrtimit kryesor palët ndërgjygjëse kanë dhënë fjalën përfundimtare.

Në fjalën përfundimtare, paditësja Hana, ka deklaruar se qëndron pranë padisë dhe kërkesë së saj, duke kërkuar nga gjykata që ajo të aprovohet si e bazuar dhe të detyrohet e paditura, që atë ta kompensojë diferencën e gradës, për periudhën 1 shkurt 2015, e deri 31 gusht 2019.

Hana tha se kërkesën e saj, për kompensimin e shumës prej e 9,513.00 euro, e ka mbështetur në ekspertizën financiare të datës 2 shtator 2019, të punuar nga ekspertja Hidajete Sejdiu.

Lidhur me shpenzimet e procedurës, paditësja tha se nuk i kërkon.

Në anën tjetër, përfaqësuesi i Telekomit të Kosovës, Halil Haliti, në fjalën e tij përfundimtare, e ka kundërshtuar në tërësi padinë e paditëses dhe ka kërkuar nga gjykata që e njëjta të refuzohet si e pabazuar.

Haliti tha se paditësja me të paditurën, për periudhën kontestuese, kanë nënshkruar kontrata te reja, me të cilat është themeluar marrëdhënie e re e punës dhe ndërmjet tyre ka vazhduar edhe më tej marrëdhënia e punës.

Gjithashtu, as përfaqësuesi i të paditurës nuk i ka kërkuar shpenzimet e procedurës.

Paditësja i ka kundërshtuar pretendimet e përfaqësuesit të paditurës, duke thënë se nënshkrimi i kontratave të reja është bërë me presion dhe nën kërcënimin për largim nga puna.

Gjykatësi i rastit, Enver Shabanaj, pas administrimit të provave dhe fjalëve përfundimtare të palëve ndërgjygjëse, ka deklaruar se shqyrtimi gjyqësor në këtë kontest është i përfunduar dhe palët me kohë do të njoftohen me vendimin.

Ndryshe, paditësja në seancën e 21 shkurt 2019, e ka precizuar padinë në aspektin subjektiv, ku fillimisht e paditur ka qenë Posta dhe Telekomi i Kosovës dhe pas precizimit e paditur në këtë kontest është Telekomi i Kosovës.

Sipas padisë së ushtruar më 3 prill 2015, paditësja Hana po kërkon nga Telekomi i Kosovës, kompensimin e 9,513.00 euro, në emër të diferencës në gradë.

Bazuar në padi, Telekomi i Kosovës, paditëses Hana, me vendim ia kishte zbritur gradën dhe atë nga grada 12 në gradën 11.

Siç thuhet në padi, paditësja në afat ligjor kishte paraqitur ankesë te e paditura për kthimin e gradës, por sipas padisë, Telekomi nuk kishte kthyer përgjigje në afatin ligjor.

Prandaj, me anën e kësaj padie, paditësja po kërkon nga gjykata që kërkesa e saj të aprovohet si e bazuar dhe të detyrohet e paditura të bëjë ripozicionimin e paditëses në pozitën dhe në gradën paraprake, si dhe t’ia kompensojë diferencën në gradë në shumë prej e 9,513.00 euro. /BetimipërDrejtësi