Përfundon gjykimi ku paditësi po kërkon t’i njihet e drejta në pension pë aftësi të kufizuar

Author

Raporton: Elsa Kollqaku

Shtator 2, 2021

Prishtinë – Ka përfunduar gjykimi në rastin ku paditësi Durim Hoti po kërkon nga e paditura, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), të i vazhdohet e drejta në pension si person me aftësi të kufizuar.

Në seancën e së enjtes, eksperti plumolog, Vllaznim Luzha deklaroi se nga ekzaminimi i bërë nga tre ekspertë të fushave të caktuara, kanë vlerësuar se nga sëmundjet që ka paditësi është person me aftësi të kufizuar të përhershme, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Përfaqësuesja e autorizuar e palës paditëse, Gjulije Hoti, deklaroi se qëndron në tërësi prapa padisë. Sipas saj, vendimi i Ministrisë është i padrejtë.

Në këtë seancë nuk përfaqësoi askush nga pala e paditur, për çka nga gjykatësja Lirije Maksutaj u tha se të njëjtin e kanë njoftuar gjykatën se nuk do të marrin pjesë në seancë.

Në këto rrethana, gjykatësja Maksutaj bëri administrimin e provave dhe konstatoi se gjykimi në këtë çështje ka përfunduar.

Sipas padisë së ushtruar më 12 shkurt 2018, paditësi Durim Hoti po kërkon nga Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Çështje Administrative, anulimin e vendimit të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, më të cilin i është refuzuar si e pabazuar ankesa për njohjen e të drejtës në pension me paaftësi të përhershme.

Në vendim thuhet së kërkesa e paditësit është e pabazuar, me arsyetimin se parashtruesi i ankesës nuk i përmbush kriteret e parashikuara me ligj për të qenë përfitues i pensionit.

Paditësi konsideron se ky vendim i Ministrisë është marrë mbi bazë të vërtetimit të gabuar të gjendjes faktike dhe dispozitave ligjore në fuqi.

Mbi këto pretendime, paditësi po kërkon aprovimin e padisë dhe anulimin e vendimit të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale. /BetimipërDrejtësi