Përfundon gjykimi në rastin ku paditësi po kërkon t’i njihet e drejta në pension me aftësi të kufizuara të përhershme

Raporton: Elsa KOLLQAKU

PrishtinëNë Gjykatën Themelore të Prishtinës, Departamenti për Çështje Administrative, të mërkurën ka përfunduar gjykimi në konfliktin administrativ, ku paditësi A.B po kërkon anulimin e vendimit të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS).

E paditura, MPMS kishte nxjerrë vendim, me të cilin e kishte refuzuar si të pabazuar ankesën e paditëses për njohjen e të drejtës në pension me aftësi të kufizuar të përhershme, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në arsyetimin e këtij vendimi, thuhet se pas shqyrtimit të dokumentacionit mjekësor, provave dhe pretendimeve ankimore, është konstatuar se nuk janë plotësuar kushtet ligjore për kompensim.

Në shqyrtimin kryesor të mbajtur të mërkurën, paditësi deklaroi se mbetet në tërësi pranë padisë dhe kërkesëpadisë, duke i propozuar gjykatës që të anulojë vendimin e të paditurës si të kundërligjshëm.

Pas kësaj, gjykatësi Hajriz Hoti administroi provat materiale dhe konstatoi se gjykimi në këtë çështje ka përfunduar.

Në fjalën përfundimtare, paditësi A.B, propozoi që padia të aprovohet si e bazuar.

Ndryshe, në seancën e sotme nuk prezantoi pala e paditur MPMS, ku sipas gjykatësit Hoti, e njëjta është ftuar në mënyrë të rregullt, por mungesën nuk e ka arsyetuar.

Sipas padisë së ushtruar më 10 korrik 2019, paditësi A.B ka paditur Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), lidhur me vendimin e lëshuar nga e njëjta, me të cilin i është refuzuar si e pabazuar kërkesa për njohje në pension me aftësi të kufizuar të përhershme.

Në padi thuhet se vendimi kontestues i MPMS-së është marrë mbi bazë të vërtetimit të gabuar të gjendjes faktike dhe dispozitave ligjore në fuqi. /BetimipërDrejtësi

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. PranoLexo më shumë