Përfundon gjykimi në rastin ku paditësi po kërkon përmbushjen e kontratës gojore për blerjen e pronës

Raporton: Arbenita RRAHMANI

Lipjan- Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, dega në Lipjan, të ejten ka përfunduar gjykimi në rastin ku paditësi Gazmend Halimi po kërkon nga të paditurit Sahit Sahiti dhe Hasim Vishesella përmbushjen e kontratës gojore për blerjen e paluajtshmërisë.

Në shqyrtimin kryesor, i autorizuari i paditësit, avokati Shpejtim Sadiku gjatë deklaratës së tij ka thënë se qëndron në tërësi pranë padisë si dhe deklarimeve të dhëna deri në këtë fazë të procedurës si dhe parashtresës për precizim të kërkesëpadisë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Tutje, Sadiku ka thënë se në këtë çështje kontestimore asnjëherë nuk ka qenë kontestuese baza juridike e padisë, por kërkesëpadia e paditësit ka qenë në drejtim të ngastrës kadastrale 27-1 në sipërfaqe prej 75 ari e 97 m2, nuk kanë qenë të definuara saktësisht, përkatësisht nuk ka qenë e ndarë fizikisht sipërfaqja prej 10 ari, e cila njëherit paraqet edhe kërkesën e palës paditëse.

I padituri Hasim Vishesella, në seancën e sotme deklaroi se mbetet në tërësi si në deklarimet të cilat i ka dhënë në seancat e kaluara.

Tutje, Vishesella ka thënë se e ka pranuar parashtresën për precizimin e kërkesëpadisë dhe të njëjtën tha se nuk e kundërshton.

Sadiku dhe i padituri Vishesella shtuan se e kanë pranuar ekspertizën e hartuar nga ekspertja e gjeodezisë Dafina Tmava-Gashi dhe ndaj të njëjtës nuk kanë pyetje as vërejtje.

Gjatë kësaj seance, është dëgjuar edhe ekspertja Tmava- Gashi, e cila ka thënë se qëndron në tërësi pranë ekspertizës, të cilën e ka punuar më 11 tetor të këtij viti.

Më pas, u administruan provat dhe u dha fjala përfundimtare nga palët në procedurë.

I autorizuari i paditësit, Sadiku në fjalën përfundimtare tha se duke iu referuar deklarimit të palës së paditur, i cili nuk e kundërshtoi kërkesëpadinë e precizuar të paditësit, konsiderojnë që në këtë çështje kontestimore janë plotësuar kushtet që kjo gjykatë të marrë aktgjykim në bazë të pohimit.

Ndërsa, vet i padituri Visheseella në fjalën përfundimtare ka thënë se në tërësi si në deklarimet, si në seancat e kaluara dhe deri më tani, nuk e kundërshton propozimin e të autorizuarit të paditësit, me të cilën kërkoi që gjykata të marrë aktgjykim në bazë të pohimit.

Sadiku e i padituri Vishesella në fund thanë se nuk i kërkojnë shpenzimet e procedurës.

Në seancën e sotme i pranishëm nuk ishte i padituri i parë Sahit Sahiti pasi ndaj të njëjtit është tërhequr padia.

Përmes aktvendimit, gjykatësja Elvira Emini në këtë fazë të procedurës ka lejuar precizimin e kërkesëpadisë së paditësit si në përmbajtjen e precizimit të dorëzuar në gjykatë më 25 tetor 2021.

Në fund, gjykatësja Emini tha se procedura në këtë çështje juridiko-kontestimore u përfundua, ndërsa palët, në afat ligjor do të njoftohen me nga një kopje të aktgjykimit të formës së shkruar.

Sipas padisë së ushtruar më 11 janar 2018, paditësi Gazmend Halimi po kërkon nga të paditurit Sahit Sahiti dhe Hasim Vishesella përmbushjen  e kontratë gojore.

Sipas padisë, paditësi Gazmend Halimi në muajin gusht 2017, ka arritur marrëveshje gojore për blerjen e paluajtshmërisë me djalin e të paditurit të parë, Besim Sahiti, i cili me pëlqimin e babait të tij Sahit Sahiti arrin marrëveshje për shitblerjen e parcelës nr.27-1, në vendin e quajtur “Slivaqe Njiha” në sipërfaqe prej 10 ari, e cila sipërfaqe gjendet në kuadër të kësaj ngastre nga sipërfaqja e tërsishme që ka kjo parcelë që evidentohet në emër të të paditurit të dytë Hasim Vishesella.

Në padi thuhet se i padituri i parë Sahiti është pronar faktik i sipërfaqes së përmendur më lartë, e të cilën e ka blerë para disa viteve nga i padituri i dytë Vishesella dhe e cila marrëveshje në mes të paditurve është vërtetuar në Giykatën Komunale në Lipjan më 22 korrik 2006, në çmimin prej 6 mijë euro, për tërë sipërfaqen.

Tutje sipas padisë, çmimi është paguar prej të paditurit të parë tek i padituri i dytë në tërësi, mirëpo bartja në katastër ende nuk ishte bërë në emër të paditurit të parë dhe për shkak se njihen të paditurit, i padituri i parë nuk ka dëshiruar ta bart pronësinë në emër të veten ngase nuk ka pasur asnjë dyshim ndaj të paditurit të dytë dhe kur të dëshiron do ta bëjë të njëjtën.

Gjithnjë sipad padisë, i padituri i parë me të dëgjuar ka shprehur mospajtim pasi çmimi është i ulët dhe me të filluar mosmarrëveshja ka shpreh lirshmëri që ta prish këtë marrëveshje dhe merr obligim që t’ia kthejë deri në fund të vitit respetivisht deri në vitin e ri 2018, shumën prej 17 mijë euro, këtë me pëlqimin e shitësit se 2 mijë e 500 euro t’ia ketë falur vetëm t’i kthehet kjo pjesë dhe të zgjidhet mosmarrëvshja për këtë ishin dakorduar të gjitha palët.

Andaj, mbi bazën e lartcekur, paditësi po kërkon nga gjykata që të aprovohet si e bazuar kërkesëpadia e paditësit Halimi dhe të detyrohet të paditurit Sahiti dhe Vishesella që të përmbush marrëveshen për blerjene paluajtshmërisë të ngastrës kadastrale në vendin e quajtur “Slivaqe Njiva”. /BetimipërDrejtësi

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë