Përfundon gjykimi në rastin ku paditësi po kërkon nga Komuna e Vitisë mbi 2 mijë euro në emër të shpërblimit jubilar

Raporton: Genta PAJAZITI

VitiNë Gjykatën Themelore të Gjilan, dega në Viti, të mërkurën ka përfunduar gjykimi në rastin ku paditësi A.F po kërkon 2 mijë e 120 euro, në emër të shpërblimit jubilar nga Komuna e Vitisë.

I autorizuari i paditësit, avokati Xhavit Haziri, në fjalën e tij përfundimtare i ka propozuar gjykatës që në tërësi ta aprovojë kërkesëpadinë, të cilën e ka precizuar dhe të detyrohet Drejtoria për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale e Komunës së Vitisë, që paditësit t’ia kompensoj tri paga të shpërblimit jubilar, në shumë të përgjithshme prej 2 mijë e 120 euro, për shkak të përvojës së punës mbi 30 vite, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në anën tjetër, përfaqësuesi i Komunës së Vitisë, avokati publik Ibrahim Ramadani, tha se në bazë të kontratës kolektive të Republikës së Kosovës, punëtorëve të pensionuar iu takon kjo e drejtë, mirëpo në këtë rast Ministria e Shëndetësisë nuk ka ndarë fond të veçantë për pagesat jubilare të punëtorëve.

Pas dëgjimit të fjalëve përfundimtare të palëve ndërgjyqëse, gjykatësi Raif Fazliu, ka deklaruar se shqyrtimi gjyqësor në këtë kontest është i përfunduar dhe palët në afat ligjor do të njoftohen me vendimin.

Ndryshe, sipas padisë të ushtruar më 9 qershor 2021 paditësi A.F po kërkon nga Komuna e Vitisë, kompensimin e shpërblimit jubilar për mbi 30 vitet e përvojës së punës.

Në padi thuhet se paditësi ka qenë i punësuar si zyrtar i lartë për resurse humane dhe personale në Drejtorinë për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale në  Komunën e Vitisë  dhe se kërkesën e tij e ka mbështetur në kontratën kolektive sektoriale, përkatësisht në nenin 17, paragrafi 1, pika 3 dhe  5 të kësaj kontrate.

Gjithmonë sipas padisë, paditësi fillimisht kishte parashtruar kërkesë pranë të paditurës, por siç thuhet kjo e fundit kishte kthyer përgjigje negative.

Me kërkesëpadi, paditësi po kërkon nga e paditura Komuna e Vitisë, përkatësisht Drejtoria për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale që atij t’ia paguajë tri paga në emër të shpërblimit jubilar në shumën prej 2 mijë e 120 euro. /BetimipërDrejtësi

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë