Përfundon gjykimi në rastin ku paditësi po kërkon nga KEDS-i kthimin në punë dhe kompensimin e mbi 100 mijë euro

Prokuroria Themelore ne Prishtine
Author

Raporton: Valentina SHAHINI – GRAJҪEVCI

Prill 30, 2021

Prishtinë – Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të premten, ka përfunduar procedura civile në rastin ku paditësi Naim Sahiti po kërkon nga Kompania Kosovare për Distribuim dhe Furnizim me Energji Elektrike (KEDS-i),kthimin në punë dhe kompensimin e mbi 100 mijë euro në emër të pagave të papaguara që nga largimi i tij nga puna.

Përfaqësuesi i paditësit, avokati Jeton Osmani në fjalën e tij përfundimtare ka deklaruar se qëndron në tërësi pranë të gjitha pretendimeve të deritanishme, duke konsideruar se e paditura në mënyrë të kundërligjshëm ia ka ndërprerë marrëdhënien e punës paditësit, për të cilin pretendim thotë se është vërtetuar me provat e administruara në këtë gjykatë.

Tutje Osmani ka thënë se, paditësi ka më shumë se 10 vite përvojë pune, respektivisht rreth 14 vite, 7 muaj përvojë punë pranë të paditurës, duke përfshirë edhe përvojën e punës pranë KEK-ut, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas Osmanit, me rastin e privatizimit të distribucionit të rrjetit të KEK-ut paditësi ka kaluar nga KEK në KEDS, dhe me këtë sipas tij e paditura i ka bartë edhe të gjitha përgjegjësitë dhe detyrat komform marrëveshjesh për privatizim.

Sipas Osmanit, paditësi në pajtim me dispozitat e Ligjit të Punës dhe Marrëveshjes së Përgjithshme Kolektive të Kosovës (MPKK-së) kontratën e punës e ka pasur me afat të pacaktuar, duke e kundërshtuar pretendimin e të paditurës se i njëjti ka kontratë me ‘afat të caktuar’.

“E paditura nuk ka pasur të drejtë të mos t’ia vazhdojë kontratën si me vendimin e atakuar, pasi marrëdhënia e punës e paditësit ishte marrëdhënie pune me afat të pa caktuar komfort Ligjit të Punës por edhe sipas MPKK-së që ishte në fuqi në kohën kur ishte shkëputur marrëdhënia e punës, e që kjo marrëveshje marrëdhënien me afat të pacaktuar e definon me kuptimin prej 3 vitesh”, ka thënë Osmani.

Osmani tha se, e paditura me rastin e ndërprerjen së marrëdhënies së punës ka vepruar edhe në kundërshtim me nenin 71 lidhur me nenin 70 të Ligjit të Punës, pasi që  e njëjta nuk ka tentuar fare që ta risistemoj, ta trajnojë apo kualifikojë, e kjo ndonjë punë tjetër, e kjo ngase se nuk kemi ndonjë raport që vlerëson punën e paditësit, e sipas saj do të mund ti linte e drejta të paditurës që të mund t’ia shkëpuste marrëdhënien e punës.

Mbi këtë bazë, Osmani ka kërkuar nga gjykata që padia dhe kërkesëpadia të aprovohet si e bazuar.

Po ashtu, Osmani i ka kërkuar edhe shpenzimet e procedurës dhe atë për padi, për taksë gjyqësore, për përfaqësim në katër seanca, në shume të përgjithshme prej 1,690.00 euro.

Kurse, në anën tjetër përfaqësuesi i të paditurës Auron Kadriu ka deklaruar se qëndron në tërësi pranë deklarimeve të deritanishme, duke i propozuar gjykatës që padia e paditësit të refuzohet si e pa bazuar.

Tutje, Kadriu ka deklaruar se fjalën përfundimtare e ka përgatitur me shkrim, të cilën në seancë ia ka dorëzuar gjykatës dhe palës paditëse.

Pas dëgjimit të palëve ndërgjyqëse, gjykatësi i rastit Hysni Bardheci ka deklaruar se shqyrtimi gjyqësor në këtë kontest është i përfunduar.

Ndryshe, sipas padisë të ushtruar më 18 maj 2016, paditësi Sahiti po kërkon nga KEDS-i anulimin e vendimeve mbi ndërprerjen e marrëdhënies së punës, kthimin e tij në punë dhe kompensimin pagave ta pa paguara në vlerë mbi 100 mijë euro.

Në padi thuhet se, paditësi fillimisht ka qenë në marrëdhënie pune në KEK, në pozitën e Drejtorit Ekzekutiv të Furnizimit, por me privatizimit e distribucionit të rrjetit të KEK-ut paditësi ka kaluar nga KEK në KEDS në pozitën e zyrtarit për projekte.

Tutje siç thuhet në padi, me 7 prill 2016 paditësi ishte njoftuar për mos vazhdimin e kontratës së punës, të cilit iu ishte paguar koha e njoftimit dhe pushimi i mbetur, si dhe dy paga mujore si shpërblim për punën dhe kontributin e dhënë.

Në padi pretendohet se, e paditura me rastin e marrjes së vendimit mbi ndërprerjen e  marrëdhënies së punës ka shkelur dispozitat e Ligjit të Punës, Marrëveshjen e Përgjithshme Kolektive të Kosovës.

Prandaj, mbi këtë bazë paditësi po kërkon nga gjykata që padia dhe kërkesëpadia e tij të aprovohet në tërësi si e bazuar dhe të detyrohet e paditura që ti anuloj vendimet mbi ndërprerjen e marrëdhënies së punës, kthimin e tij në punë dhe kompensimin e pagave të pa paguara në vlerë mbi 100 mijë euro./BetimipërDrejtësi