Përfundon gjykimi në rastin ku paditësi po kërkon nga fqinji i tij të mos e pengojë në posedimin e pronës

Raporton: Valdita KELMENDI

Prishtinë- Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të mërkurën ka përfunduar gjykimi ndaj paditësit Ali Bllacaku, i cili po kërkon nga fqinji tij Kadrush Bllacaku, që të mos e pengojë në posedimin e pronës së quajtur “Oborri” në Bërnicë të Epërme.

Po ashtu, paditësi Ali po kërkon nga i padituri Kadrush kthimin e pjesës së uzurpuar të pronës së tij, të ngastrës kadastrale në Bërnicë së Epërme, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në seancën e së mërkurës, palët janë deklaruar lidhur me pretendimet e tyre, pastaj është bërë administrimi i provave dhe krejt në fund është dhënë fjala përfundimtare.

Sipas, përfaqësuesit të paditësit, avokatit Sabri Ademi, klienti tij pjesën kontestuese e ka në posedim që 50 vite dhe këtë posedim në mënyrë të papenguar sipas tij e kishte ushtruar deri në vitin 2015.

Ai ka thënë se i padituri Kadrush, një pjesë të tokës së klientit të tij, konkretisht pjesën prej 2 ari e ka shfrytëzuar dhe se sipas tij çuditërisht kjo pjesë evidentohet me emrin e të paditurit.

Tutje, ai ka kërkuar nga gjykata që i padituri mos ta shfrytëzojë pjesën, të cilën ai e ka uzurpuar nga tani paditësi Ali.

“Kërkojmë nga i padituri që mos ta lëvrojë, as shfrytëzojë atë tokë derisa të vendoset në vendim të gjykatës të formës së prerë”, shtoi avokati Ademi.

Pas kësaj, është deklaruar edhe vet i padituri Kadrush, ku sipas tij pronën e cila pretendohet se është kontestuese mes tij dhe fqinjit të tij, ai e ka trashëguar nga babai i tij.

“Mua më ka ra në hise në vitin 1958 kur është bërë ndarja pasurisë mes vëllezërve, kjo pjesë e tokës i ka takuar babës, ndërsa unë e kam trashëguar prej tij”, tha i padituri.

Ndryshe, në këtë seancë është deklaruar edhe eksperti i gjeodezisë Qemajl Hoda, i cili ka thënë se mbetet në tërësi pranë ekspertizave të dhëna më parë.

Ai ka deklaruar se kanë dalë në terren dhe kanë konstatuar se a përputhen kufijtë në pjesën kontestuese dhe sipas tij sa i përket kufirit me paditësin, ka pasur lëvizje të kufirit.

Sipas tij, për me qëllim të konstatimit të saktë kanë kërkuar prej dy palëve të sigurojnë një kopje te incizimit të kufirit të vitit 1972 dhe një kopje të planit të punës, me të cilin janë bërë ndryshimet, por që këto kërkesa të tij nuk janë përmbushur nga palët.

Për këtë qëllim, ai ka thënë se nuk mund të deklarohen se a ka marrëveshje mes palëve për lëvizje të kufirit.

Pas kësaj,  gjykatësi Alajdin Tershnjaku ka deklaruar se përfundoi kjo çështje kontestimore, ndërsa lidhur me vendimin, palët do të njoftohen brenda afatit ligjor.

Në fjalën përfundimtare, palët kanë deklaruar se qëndrojnë pas të thënave të deklaruara më lartë.

Ndryshe, sipas padisë së ushtuar më 25 shtator 2015, paditësi  Ali Bllacaku po kërkon nga Kadrush Bllacaku kthimin në posedim të parcelës. Paditësi në raport me të paditurin, janë komshinj mes vete.

Në këtë padi, paditësi Ali thuhet se është pronar faktik dhe në të njëjtën kohë posedues i ngastrës kadastrale  në vendin e quajtur “Oborr”, zona kadastrale Bërnicë e Epërme, ngastër kjo sipas padisë me sipërfaqe prej 0.04.35 ha.

Tutje në padi, paditësi pretendon se i padituri, pa autorizim dhe pa pëlqimin e paditësit, më 15 gusht 2015 ka vendosur ta uzurpojë një pjesë të paluajtshmërisë së cekur më lartë.

Me veprimet e të paditurit Kadrush, paditësi Ali në këtë padi po pretendon se është penguar në posedimin e qetë dhe të lirë në parcelën e tij tek vendi i quajtur “Oborri”.

Ai në kërkesëpadinë e tij po kërkon nga gjykata që të vërtetohet se i padituri ka kryer pengim posedimin në dëm të ngastrës kadastrale të tani të paditësit Ali.

Ai po ashtu ka kërkuar nga gjykata, që të urdhërohet i padituri që të pushojë pengim posedimin dhe në afat prej tre ditësh ta kthejë në gjendjen e mëparshme posedimin për pjesën e uzurpuar të pronës. /BetimipërDrejtësi

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë