Përfundon gjykimi në rastin ku paditësi po kërkon anulimin e vendimit të MPMS-së dhe njohjen e statusit për persona paraplegjik dhe tetraplegjik

Pallati-i-Drejtesise-2-620x275
Author

Raporton: Aurela MERLAKU

Prill 6, 2021

PrishtinëTë martën, në Gjykatën Themelore të Prishtinës, Departamenti për Çështje Administrative, ka përfunduar gjykimi në konfliktin administrativ, ku paditësi Zebur Murselaj po kërkon anulimin e vendimit të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS) – Departamenti i Pensioneve.

E paditura, MPMS-ja kishte nxjerrë vendim me të cilin kishte refuzuar si të pabazuar ankesën e paditësit për njohjen e të drejtës në pension të personave me aftësi të kufizuar, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në arsyetimin e këtij vendimi, thuhet se pas shqyrtimit të dokumentacionit mjekësor, provave dhe pretendimeve ankimore, është konstatuar se nuk janë plotësuar kushtet ligjore për kompensim për persona paraplegjik dhe tetraplegjik.

Në shqyrtimin kryesor të mbajtur të martën, përfaqësuesja e paditësit, Nexhmije Murselaj tha se mbetet pranë padisë dhe kërkesëpadisë.

Për këtë seancë nuk prezantuan pala e paditur, për të cilën gjykata kishte prova që e kishte ftuar në mënyrë të rregullt.

Tutje, në këtë seancë janë administruar provat materiale si dhe është dhënë fjala përfundimtare, ku përfaqësuesja e paditësit Murseli, ka kërkuar nga gjykata që të aprovohet kërkesëpadia dhe t’i njihet e drejta në pension.

Sipas padisë së ushtruar më 19 shtator 2018, Zebur Murselaj ka ushtruar padi me të cilën ka kërkuar njohjen e statusit për persona paraplegjik dhe tetraplegjik.

Gjithnjë sipas padisë, paditësi nuk është i aftë të kryej asnjë punë dhe se familja ka shpenzime të mëdha lidhur me trajtimin e sëmundjeve të tij, e se është shumë e nevojshme që të realizohet pensionimi i parakohshëm i paditësit.  /BetimipërDrejtësi