Përfundon gjykimi në rastin ku paditësi po kërkon anulimin e vendimit të Komunës së Hanit të Elezit

Rasti Komunes se Prishtine 13.02.2019
Author

Raporton: Tringa RAMADANI

Tetor 7, 2020

Prishtinë – Të martën, në Gjykatën Themelore të Prishtinës, Departamenti për Çështje Administrative, ka përfunduar gjykimi në konfliktin administrativ, ku paditësi – subjekti juridik “Bajramaliu SHPK” po kërkon anulimin e vendimit të Komunës së Hanit të Elezit.

E paditura – Komuna e Hanit të Elezit kishte nxjerrë vendim me të cilin kishte refuzuar ankesën e paditësit kundër aktvendimit të Drejtorisë së Zhvillimit Ekonomik për caktimin e taksës vjetore komunale, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në arsyetim thuhet se ky vendim është marrë duke interpretuar Rregulloren Komunale për Taksa, Tarifa dhe Ngarkesa Administrative, e cila Rregullore e ka obliguar Drejtorinë e Zhvillimit  Ekonomik që të nxjerrë vendim për çdo subjekt veç e veç që operojnë në Komunën e Hanit të Elezit, përfshirë subjektin “Bajramaliu SHPK”, të cilin për ushtrimin e veprimtarisë afariste e kishte ngarkuar me taksë vjetore në vlerë prej 1500 euro.

“Pala e pakënaqur duke iu referuar Ligjit për Tregti të Brendshme ka keqinterpretuar nenet e këtij ligji sepse taksa vjetore komunale për ushtrimin e veprimtarisë afariste dallon nga leja e punës, ku në lejen e punës janë të përcaktuar kushtet elementare që duhet t’i plotësoj çdo subjekt afarist për ta filluar punën. Rregullorja Komunale për Taksa, Tarifa dhe Ngarkesa Administrative nuk merret me lejet e veprimtarisë afariste sepse ajo është e rregulluar me Udhëzim Administrativ nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, por taksa në fjalë është taksë që e paguajnë të gjitha subjektet afariste që zhvillojnë veprimtarinë e tyre brenda territorit të komunës tonë”, thuhet në arsyetimin e vendimit të Komunës së Hanit të Elezit.

Përfaqësuesi i paditësit, avokati Sabri Kryeziu, në fjalën përfundimtare ka thënë se mbetet në tërësi pranë padisë dhe kërkesëpadisë si dhe i ka propozuar gjykatës që të vendos meritorisht për këtë çështje.

“E paditura nuk ka të drejtë në aplikimin e kësaj takse e cila është në kundërshtim me frymën e të bërit biznes pa ngarkesa të tjera dhe si e tillë kjo taksë nuk ka bazë ligjore. Në këtë fazë të procedurës i propozoj gjykatës që të aprovoj kërkesëpadinë e paditësit si të bazuar, të anuloj vendimin e kontestuar të të paditurës si dhe ta obligoj të paditurën që paditësen ta liroj nga pagesa e taksës vjetore për ushtrimin e veprimtarisë së biznesit për vitin 2015 në shumën 1500 euro”, deklaroi Kryeziu.

Po ashtu, në këtë seancë janë administruar provat materiale, ku për provën e prezantuar nga e paditura – Rregullore, avokati Kryeziu tha se është e kundërligjshme.

“Provën e prezantuar nga e paditura – Rregulloren e kundërshtojmë si të kundërligjshme ngase baza juridike në të cilën bazohet kjo rregullore nuk i jep të drejtë të paditurës që të caktoj taksë për subjektet juridike që ushtrojnë biznes në territorin e të paditurës”, shtoi Kryeziu. /BetimipërDrejtësi