Përfundon gjykimi në rastin ku paditësi po kërkon anulimin e vendimit të Doganës së Kosovës

IMG_1144
Author

Raporton: Aurela MERLAKU

Maj 25, 2021

Prishtinë – Ka përfunduar gjykimi në konfliktin administrativ, ku paditësi – subjekti juridik “Solid Group” sh.p.k po kërkon nga Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Çështje Administrative, anulimin e vendimit të Doganës së Kosovës lidhur me koston e shpenzimeve të transportit.

Gjatë seancës së mbajtur të martën, në Divizionin Fiskal të Departamentit Administrativ në Gjykatën Themelore në Prishtinë, u trajtuan pretendimet e palëve.

Përfaqësuesja e paditësit, Eranda Hasani deklaroi se e kontestojnë vendimin e kundërshtuar për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave procedurale, vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike si dhe aplikimit të gabuar të së drejtës materiale, pasi që kompania “Solid Group” si tatim pagues ka paraqitur prova të mjaftueshme të cilat tregojnë vlerën e saktë të transportit detar.

Ajo po ashtu tha se Dogana e Kosovës pa bazë kishte bërë ngritjen e shpenzimeve të transportit detar duke dëmtuar kështu paditësin, andaj kërkoi nga gjykata që t’iu kthehen mjetet e paguara më tepër.

Ndërsa, për të paditurën–Doganën e Kosovës nuk prezantoi askush, por që me parashtresë kishte njoftuar gjykatën se nuk do të prezantoj në këtë seancë.

Tutje, gjykatësi Fisnik Nuli ka administruar provat materiale si dhe është dhënë fjala përfundimtare, ku përfaqësuesja e paditësit, Eranda Hasani ka kërkuar nga gjykata që të aprovohet kërkesëpadia e paditësit dhe të anulohet vendimi kontestues i të paditurës si dhe të kthehen mjetet e paguara më tepër në emër të shpenzimeve të transportit dhe atë si në shumën e cekur në ankesë-padi, 475.20 Euro.

Ndryshe, sipas padisë së ushtruar më 24 janar 2019, “SOLID” N.T.P ka paditur Doganën e Kosovës, lidhur me anulimin e vendimit të lëshuar nga ky organ, me të cilin të njëjtit i është refuzuar  si e pabazuar.

Siç thuhet në padi, ZD Hani i Elezit – Terminali kishte ngritur bazën doganore për shpenzimet e transportit nga 1,557.76 euro në 3,279,49 Euro.

Gjithnjë sipas padisë, paditësi pretendon se ky vendim është marrë në kundërshtim me dispozitat ligjore, procedurale dhe materiale dhe është bërë vërtetimi i gabuar i gjendjes faktike.

Sipas vendimit të Doganës së Kosovës paditësit i është refuzuar si e pa bazuar ankesa me arsyetimin se Zyra e Pranimit Qendror ka vepruar drejtë kur gjatë vlerësimit të mallit lëndor të deklaruar me anë të DUD-it ka ngritur bazën doganore duke llogaritur shpenzimet e transportit për mallin lëndor sepse subjekti ankimor kishte paraqitur vlera më të ulëta për shpenzimet e transportit të mallit se sa vlera reale. /BetimipërDrejtësi