Përfundon gjykimi në rastin ku paditësi po kërkon anulimin e vendimit të Doganës së Kosovës dhe kthimin e mjeteve financiare të paguara më tepër

Pallati i Drejtesise, Prishtine, 03.06.15. Photo:Atdhe Mulla
Author

Raporton: Tringa RAMADANI

Tetor 6, 2020

Prishtinë – Ka përfunduar gjykimi në konfliktin administrativ, ku paditësi – subjekti juridik NPN “Muratori-L” po kërkon nga Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Çështje Administrative, anulimin e vendimit të Doganës së Kosovës.

Në padi thuhet se me vendimin e Deklaratës Unike Doganore, Dogana e Kosovës kishte kontestuar vlerën e mallit lëndor – kamionit, ndërsa në procesin e përcaktimit të vlerës së mallit, malli ishte vlerësuar në bazë të metodës së gjashtë të vlerësimit apo në bazë të katalogut, si e dhënë e disponueshme e DK-së, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Kundër këtij vendimi, paditësi kishte ushtruar ankesë me të cilën kishte kontestuar vlerësimin e bërë për kamionin, pasi sipas tij, të gjitha dokumentet dëshmojnë vlerën reale prej 16.000 euro.

Siç thuhet në padi, Dogana e Kosovës e kishte vlerësuar kamionin me një vlerë shumë të lartë dhe të papërballueshme, duke mos bërë llogaritjen reale të amortizimit përkitazi me vitin e prodhimit dhe përqindjes së amortizimit.

Por, që sipas padisë, këtë ankesë, Dogana e Kosovës e kishte refuzuar si të pabazuar.

Në arsyetimin e vendimit të DK-së thuhet se vlera e mallit e deklaruar për zhdoganim është më e vogël se sa vlera reale e paguar apo që ka për t’u paguar për mallin e shitur.

Në fjalën përfundimtare, përfaqësuesi i paditësit, avokati Irfan Zushi ka thënë se rivlerësimi nga ana e të paditurës është i padrejtë dhe ka kërkuar nga gjykata që ta aprovojë kërkesëpadinë si dhe ta anulojë vendimin e kontestueshëm të të paditurës.

“Kërkojmë nga gjykata që ta obligoj të paditurën që paditësit t’ia kthej mjetet financiare të paguara më tepër si rezultat i rivlerësimit të automjetit të importuar. Blerja është bërë në mënyrë të rregullt edhe nga aktvendimi dhe përgjigja në padi e palës paditëse nuk e ka kundërshtuar këtë, por në mungesë të kontratës ka bërë një vlerësim përmes një katalogu. Sa i përket kontratës së shitblerjes, pronari do ta siguroj atë. Edhe nga blerjet e mëhershme, dogana nuk na e ka kërkuar një dokument të tillë”, deklaroi Zushi. /BetimipërDrejtësi