Përfundon gjykimi në rastin ku paditësi po kërkon anulimin e vendimit të Doganës së Kosovës dhe kthimin e mjeteve financiare të paguara më tepër

IMG_8451
Author

Raporton: Aurela MERLAKU

Prill 26, 2021

Prishtinë – Ka përfunduar gjykimi në konfliktin administrativ, ku paditësi–subjekti juridik “Arena Trade sh.p.k” po kërkon nga Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Çështje Administrative, anulimin e vendimit të Doganës së Kosovës.

Në padi thuhet se me vendimin e Deklaratës Unike Doganore, Dogana e Kosovës kishte kontestuar vlerën e mallit lëndor – kafesë, ndërsa në procesin e përcaktimit të vlerës së mallit, malli ishte vlerësuar në bazë të metodës së gjashtë të vlerësimit apo në bazë të katalogut, si e dhënë e disponueshme e DK-së, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Kundër këtij vendimi, paditësi kishte ushtruar ankesë me të cilën kishte kontestuar vlerësimin e bërë të mallit lëndor, duke pretenduar se Dogana e Kosovës ka qenë e obliguar që zhdoganimin e mallit ta bëjë sipas vlerës së transaksionit, e jo duke e ngritur bazën doganore të mallit.

Por që sipas padisë, këtë ankesë Dogana e Kosovës e kishte refuzuar si të pabazuar.

Gjatë seancës së mbajtur të hënën, në Divizionin Fiskal të Departamentit Administrativ në Gjykatën Themelore në Prishtinë, u trajtuan pretendimet e palëve.

Përfaqësuesi i paditësit, avokati Senat Elshani deklaroi se mbetet në tërësi pranë padisë dhe kërkesë padisë dhe se vendimin kontestues e atakojnë për faktin që i njëjti është nxjerrë me konstatim te gabuar të gjendjes faktike, si dhe me aplikim të gabuar të së drejtës materiale.

“Nga krahasimi i dudit të deklaruar konform nenit 33 të KDA-së dhe nga krahasimi i dudit pas rivlerësimit të mallit rrjedh që për shkak të rivlerësimit të mallit, paditësi ka paguar detyrime shtesë në vlerë prej 1972.49 Euro, prandaj konsiderojmë që paditësi ka paraqitur gjithë dokumentacionin e nevojshëm për zhdoganimin e mallit, mirëpo e paditura në mënyrë të gabuar ka aplikuar metodën gjashtë të vlerësimit në kuptim të nenit 35 të KDA-së”, tha Elshani.

Në anën tjetër përfaqësuesi i Doganës, Blerim Pruthi deklaroi se e kundërshtojnë në tërësi padinë dhe kërkesëpadinë e paditësit si të pabazuar, duke i propozuar gjykatës që të njëjtën ta refuzoj si të pabazë, e ta lë në fuqi vendimin e kontestuar si të ligjshëm dhe të drejtë.

“Lidhur me kontratën e cila ekziston në shkresat e lëndës, Dogana e Kosovës shpreh dyshimet e saj lidhur me këtë kontratë e cila edhe pse titulli i saj fillon në gjuhën angleze tutje vazhdon me gjuhën malazeze dhe si e tillë nuk flet për llojin apo cilësinë e mallit apo korrjet e vjetra siç pretendon paditësi e po ashtu ka paraparë që pagesa për mallin të bëhet në avanas ndërsa pagesa është bërë pas datës së kësaj marrëveshje”, tha përfaqësuesi i Doganës.

Ndërsa lidhur me këto pretendime, përfaqësuesi i paditësit, avokati Elshani tha se janë te pabazuara, duke shtuar se kontrata e shitblerjes së mallit lëndor i përmban të gjitha elementet e nevojshme, si palët kontraktuese blerësi dhe shitësi, sasinë e mallit lëndor të blerë si dhe llojin e mallit dhe çmimin për të.

Tutje, në këtë seancë gjykatësi Fisnik Nuli ka administruar provat materiale si dhe është dhënë fjala përfundimtare, ku përfaqësuesi i paditësit, avokati Elshani ka kërkuar nga gjykata që të aprovohet kërkesëpadia e paditësit dhe të anulohet vendimi kontestues i të paditurës.

Ai po ashtu kërkoi nga gjykata që ta obligoj të paditurën që paditësit t’ia kthejë detyrimet e paguara shtesë në shumë prej 1972.49 euro, në kamatë prej 8%.

Ndërsa, përfaqësuesi i Doganës së Kosovës, Blerim Pruthi gjykatës i ka propozuar që të bëj refuzimin e padisë dhe kërkesëpadisë si të pabazuar, duke lënë në fuqi vendimin si të ligjshëm dhe të drejtë.

Sipas padisë së ushtruar më 14 janar 2019, kompania “Arena Trade sh.p.k” ka paditur Doganën e Kosovës, lidhur me anulimin e vendimit të lëshuar nga ky organ, me të cilin të njëjtit i është refuzuar  si e pabazuar.

Paditësi ka konsideruar se shuma e paguar ishte shumë e lartë dhe metoda e vlerësimit gjashtë nuk kishte qenë metoda që duhej përdorur në vlerësim të këtij malli.

Dogana e Kosovës, më 13 dhjetor 2018, paditësit i kishte refuzuar ankesën ndaj vendimit, pasi siç thuhet vlera e mallit e deklaruar për zhdoganim nuk është vlera reale e paguar për mallin pasi që është deklaruar vlerë më e vogël se sa vlera reale e paguar. /BetimipërDrejtësi