Përfundon gjykimi në rastin ku paditësi po kërkon anulimin e vendimit të ATK-së

Raporton: Elsa KOLLQAKU

Prishtinë – Të martën, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ka përfunduar konflikti administrativ në rastin ku subjekti juridik–’RP INVEST DOO’, ka paditur Administratën Tatimore të Kosovës, lidhur me vendimin e lëshuar nga e njëjta.

Me vendim paditësit i është refuzuar ankesa ndaj vendimit për pagesën e tatimit shtesë pas rivlerësimit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në shqyrtimin kryesor përfaqësuesi i autorizuar i palës paditëse, Halil Voca, deklaroi se kontesti i vetëm në bazë të vendimit kontestues ka të bëjë me kontratat e lidhura me dy palë, ku pala paditëse nuk ka qenë i informuar rreth asaj se si duhet të lidhen kontratat dhe të bëhen pagesat për ekzistuesin e punimeve.

“Ka qenë obligim edhe i palëve kontraktuale që të ofrojnë faturat sipas legjislacionit tatimorë dhe është dashur të njoftohet investitori në këtë rast paditësi, që të njëjtat fatura të evidentohen në librin e blerjes së paditësit”, tha Voca.

Tutje, Voca deklaroi se është fakt se këto fatura nuk janë lëshuar asnjëherë për shkak se paditësi ka qenë i informuar se banesat janë të liruara nga tatimi në Kosovë dhe ashtu kanë arritur që rreth 1 milion eurove vlerë të punimeve të mos deklarohen në Administratën Tatimore.

Sipas përfaqësuesit Voca, shuma të cilën e ka ngarkuar ATK-ja paditësin ka qenë shumë e lartë për arsye se e njëjta shumë nuk i është pranuar në shpenzime për nevoja të kontabilitetit.

“ATK-ja nuk e pranon si shpenzim ndërtimin dhe furnizimin me material nga ana e të lartcekurave në kontrata, për faktin se ATK vlerëson se të njëjtat nuk janë paguar përmes bankës apo sipas legjislacionit në fuqi, konstatoj se pagesat janë kryer në kesh dhe jo përmes bankave”, tha Voca.

Pas kësaj, gjykatësi Fisnik Nuli administroi provat materiale dhe konstatoi se procedura e provave në këtë çështje ka përfunduar.

Në fjalën e tij përfundimtare, Voca kërkoi nga ana e gjykatës që provat materiale të merren parasysh dhe lënda të kthehet në rivendosje tek e paditura.

“Të njëjtat vlera që burojnë nga marrëveshjet e palëve të njihen për shpenzimet e këtu paditësit, sepse marrëveshjet sigurojnë bazën materiale se ndërtimi është kryer dhe te njëjtat banesa dhe lokale ATK-ja i pranon si të shitura por jo si ndërtim”, shtoi ai.

Në fund Voca tha se si kompani që veprojnë në veri të Kosovës i janë përgjigjur obligimeve karshi ATK-së, mirëpo pronari nuk ka qenë në dijeni të procedurave që parasheh ligji.

Ndryshe, në seancën e sotme nuk ishte prezent pala e paditur.

Gjykatës Nuli deklaroi se e njëjta e ka njoftuar gjykatën që nuk do të marr pjesë në seancë, duke kërkuar që seanca të vazhdojë pa prezencën e tyre.

Sipas padisë së ushtruar më 15 korrik 2020, subjekti juridik – RP INVEST DOO, po kërkon nga Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Çështje Administrative, anulimin e vendimit të Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), me të cilin i është refuzuar ankesa ndaj vendimit për pagesën e tatimit shtesë pas rivlerësimit.

Në arsyetimin e këtij vendimi thuhet se nga analiza e raportit të kontrollit konstatohet se qarkullimi shtesë ka ardhur si rezultat i transaksioneve bankare të shitjes së banesave, kontesti i tatimpaguesit është mos pranimi kontratave me punëkryesit, respektivisht kontratat e lidhura me date 29 mars 2016, 11gusht 2016 dhe 11 gusht 2017.

Sipas vendimit të ATK-së, Divizioni i Ankesave bazuar në analizën e Raportit te Kontrollit dhe shkresave në dosje te tatimpaguesit, konstaton se kontrata kontestuese nuk janë të lidhura tek Noteri, pagesat nuk janë bërë në llogari bankare ashtu siç kërkohet ligj, nuk dëshmohet me fatura për punën e kryer nga punekryesit, nuk dëshmohet me asnjë prove materiale se këto punë janë kryer nga bizneset të regjistruara në ARBK, nuk kanë numra fiskal, nuk kanë adresë, nuk ka dëshmi se janë të deklaruara te hyrat nga te njëjtit.

Në padi thuhet se ky vendim përmban shkelje thelbësore të dispozitave të procedurës së përgjithshme administrative, konstatimit të gabuar të gjendjes faktike dhe aplikimit të gabuar të drejtës materiale./BetimipërDrejtësi

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë