Përfundon gjykimi në rastin ku paditësi po kërkon anulimin e vendimit të ATK-së dhe kthimin e mbi 1 mijë eurove

Author

Raporton: Elsa KOLLQAKU

Gusht 27, 2021

PrishtinëËshtë dhënë fjala përfundimtare në rastin ku subjekti juridik-Kompania “Kam Kosovo”, po kërkon anulimin e vendimit të të paditurës Administratës Tatimore të Kosovës dhe kthimin e pagesës në shumën prej 1,214.72 euro.

Përfaqësuesi i autorizuari i palës paditëse, Meriton Hoti, në fjalën e tij përfundimtare deklaroi se sipas tij, me provat e administruara është vërtetuar baza juridike e kërkesëpadisë dhe kërkoi nga gjykata aprovimin e padisë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Mbetemi në tërësi pranë padisë dhe kërkesëpadisë të parashtruara pranë kësaj gjykatë, kërkojmë nga gjykata që pas shqyrtimit të provave të aprovoj si të bazuar padinë dhe të anuloj vendimin, si dhe shumën prej 1,214.72 euro që është shqiptuar në emër të ndëshkimit t’i kthehet paditësit”, deklaroi Hoti.

Në këtë seancë nuk ka prezantuar përfaqësuesi i të paditurës, për të cilin, gjykatësi Fisnik Nuli konstatoi se i njëjti është ftuar në mënyrë të rregullt.

Tutje, gjykatësi Nuli bëri administrimin e provave dhe konstatoi se shqyrtimi për këtë çështje ka përfunduar.

Sipas padisë së ushtruar më 11 qershor 2019, Kompania “Kam Kosovo” ka paditur Administratën Tatimore të Kosovës-ATK lidhur me anulimin e vendimit të lëshuar nga ky organ, me të cilin të njëjtës i është refuzuar si e pabazuar.

Siç thuhet në padi, Kompania “Kam Kosovo” po kërkon anulimin e vendimit dhe kthimin e mjeteve në shumën prej 1,214.72 euro, me arsyetimin se pretendimet e inspektorit tatimor për konstatimin e mallit pa origjinë dhe dokumentacion përkatës janë të pabazuara dhe të kundërligjshme.

Sipas vendimit të Administratës Tatimore të Kosovës, paditësit i është refuzuar si e pabazuar ankesa, me arsyetimin se gjatë verifikimit të mallit në depo ka pasur ndryshime të ndjeshme në depon qendrore, ka pasur mungesë malli në vlerën prej 351,90 euro dhe tepricë mall pa origjinë në vlerën prej 858,94 euro.

Mbi bazën e të lartcekurave, paditësi me padi po kërkon që të anulohet vendimi i ATK-së dhe kthimin e pagesës në shumën prej 1,214.73, të cilën pagesë paditësi e ka bërë për shkak të moszbatimit të interesit.