Përfundon gjykimi në rastin ku paditësi po kërkon anulimin e vendimit të Agjencionit Kadastral të Kosovës

Raporton: Valentina SHAHINI – GRAJҪEVCI

Prishtinë – Të enjten, në Gjykatën Themelore në Prishtinë në Departamentin për Çështje Administrative ka përfunduar gjykimi në rastin ku paditësi S.S po kërkon anulimin e vendimit të Agjencisë Kadastrale të Kosovës (AKK-së).

AKK, me vendimin e kishte refuzuar ankesën e paditësit me arsyetimin se Zyra Kadastrale Komunale në Istog regjistrimin e pronave e kishte bërë duke e zbatuar aktvendimin e lëshuar nga Gjykata Themelore në Pejë, dega në Istog me të cilin theksohet se është dokument përmbarues, si dhe pala ka vepruar  me autorizim të skaduar, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në këtë seancë ka prezantuar vetëm përfaqësuesi i të paditurës, Nadir Shyqeriu i cili ka thënë se qëndron pranë përgjigjes në padi duke shtuar se duke shtuar se pala paditëse në AKK, ka kundërshtuar me ankesën përgjigjen e datës 22 gusht 2018 të nxjerr nga Zyra Komunale e Kadastrit në Istog, me të cilën pala në procedurë është njoftuar se komuna e ka zbatuar aktvendimin e formës së prerë C.289/017 të nxjerr nga Gjykata Themelore në Pejë Dega në Istog.

Pas kësaj, gjykatësja e rastit Lirije Maksutaj i ka administruar provat dhe ka deklaruar se shqyrtimi gjyqësor në këtë kontest është i përfunduar.

Ndryshe, sipas padisë së ushtruar më 6 dhjetor 2018, paditësi po kërkon nga Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Çështje Administrative, të anulojë vendimin e Agjencisë Kadastrale të Kosovës (AKK), i datës 21 nëntor 2018 si i kundërligjshëm, dhe çështja të kthehet në rishqyrtim dhe rivendosje.

Me padi ai pretendon se nuk qëndrojnë pretendimet e të paditurës se  i ka skaduar autorizimi pasi sipas tij autorizimi vlen deri në revokim./BetimipërDrejtësi

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë