Përfundon gjykimi në rastin ku paditësi po kërkon anulimin e vendimit të Agjencionit Kadastral të Kosovës

Raporton: Donjeta AJVAZI

Prishtinë –Në mungesë të palëve ndërgjyqëse në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka përfunduar gjykimi në rastin ku Agjencia e Privatizimit ka ushtruar padi për anulim vendimi ndaj Agjencisë Kadastrale të Kosovës.

Gjykatësi i rastit Kreshnik Kaçiu konstatoi se në seancën e sotme pala paditëse dhe pala e paditur nuk janë të pranishëm edhe pse të njëjtit janë ftuar me ftesa të rregullta.

Pas kësaj, gjykatësi Kaçiu ka administruar provat dhe ka deklaruar se shqyrtimi gjyqësor në këtë kontest është i përfunduar.

Ndryshe, sipas padisë së ushtruar më 15 janar 2018, pala paditëse-Agjencia Kosovare e Privatizimit po kërkon anulimin e aktvendimit të të paditurës me të cilin ishte refuzuar si e pabazuar ankesa e paditësit.

Në vendimin e të paditurës thuhet se ankesa e paditësit është refuzuar me arsyetimin se e njëjta konsiderohet si e pa bazuar dhe se nuk ka ofruar ndonjë provë të re që do ndikonte në ndryshimin e vendimit të atakuar.

Paditësi me padi pretendon se ka qenë pronare e lokalit së bashku me podrum deri kur është bërë ndërrimi i titullarit të pronës pa dijeninë e tyre, e që prona në fjalë është pronë shoqërore dhe bie nën administrimin e AKP-së.

Tutje në padi thuhet se ky ndërrim I titullarit të pronës është në kundërshtim me nenin 2 të Ligjit për AKP-në ku I vetmi autoritet për shtijen, transferimin dhe likuidimin e ndërmarrjeve shoqërore është AKP-ja. ./BetimipërDrejtësi

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë