Përfundon gjykimi në rastin ku paditësi po kërkon anulimin e vendimit të Administratës Tatimore të Kosovës

IMG_9764
Author

Raporton: Aurela MERLAKU

Qershor 3, 2021

Prishtinë – Ka përfunduar gjykimi në konfliktin administrativ, ku paditësi-subjekti juridik  NTP “Albi-Moni”, po kërkon nga Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Çështje Administrative, anulimin e vendimit të Administratës Tatimore të Kosovës (ATK).

Sipas padisë-ankesës, ATK-ja kishte marrë vendim me të cilin kishte refuzuar ankesën e subjektit NTP “Albi Moni”, të cilën ankesë, ky subjekt e kishte ushtruar pas pranimit të Njoftim-Rivlerësimit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në vendim thuhet se tatimi shtesë ka ardhur nga aplikim i  vlerës së hapur të tregut për disa artikuj ku me kontroll është marrë informata nga palët e treta sipas raportit të kontrollit bizneset të cilat kanë pasur tregti me shumicë dhe pakicë të materialit ndërtimor dhe që të gjithë janë importues të këtyre produkteve, nën qëllimin që të jetë një referencë e njëjtë krahasuese.

Po ashtu, ndryshime ku ka rezultuar me tatime shtesë ka pasur edhe te KMSH-ja, ku duke u bazuar në vendim shpjegues publik për vlerësimet dhe rivlerësimet doganore, inspektori nga DUD-at ka anuluar shpenzimet e transportit me arsyetimin se transporti është bërë me mjetet e vet tatimpaguesit, i cili ka marrë shpenzimet e zhvlerësimit të kamionëve, shpenzimet e punëtorëve si dhe çdo shpenzim tjetër që lidhet me transportin e mallrave e importuara.

Lidhur me këtë, në seancën e së enjtes, përfaqësuesi i paditësit, Taulant Hajrizi ka deklaruar se mbesin në tërësi pranë padisë dhe kërkesëpadisë së parashtruar pranë gjykatës duke konsideruar se vendimi i ATK-së është marrë në shkelje të dispozitave materiale dhe procedurale.

Ai ka thënë se nuk është dhënë asnjë informacion lidhur me tatim paguesit e tetë nga të cilët janë marrë të dhënat lidhur me çmimet e produkteve por vetëm është cituar emri i tyre pa e përcaktuar llojin e shoqërisë tregtare nën të cilën operojnë.

Ai ka thënë se e paditura ne vendimin e saj nuk ka përshkruar nëse paditësi dhe subjektet krahasuese janë ne rangun e njëjtë te zinxhirit furnizues dhe nëse produktet e rivlerësuara janë importuar nga vendet e njëjta.

Ai po ashtu ka kundërshtuar edhe 3 gjobat e shqiptuara në vlerë prej 3000 euro,  3 herë nga 1000 euro qe u referohen 3 viteve te periudhës se kontrollit 2016, 2017 dhe 2018 e për të cilat e paditura ne vendimin kontestues nuk ka dhënë asnjë arsyetim.

Pas kësaj, gjykatësi Fisnik Nuli ka administruar provat materiale si dhe është dhënë fjala përfundimtare, ku përfaqësuesi i paditësit, Taulant Hajrizi tha se qëndrojnë prapa padisë dhe kërkesëpadisë si dhe te thënave gjate seancës se sotme duke konsideruar se e paditura ka vepruar ne kundërshtim ne dispozitat ligjore për ligjin për TVSH-në të ligjit për ATK-në.

Ai tha se vendimi në fjalë është tërësisht arbitrar andaj i njëjti duhet te anulohet si i kundërligjshëm dhe kërkoi nga gjykata qe të aprovojë kërkesëpadinë dhe ta anulojë vendimin 582/19 të Departamentit të ATK-së.

Ndryshe, në këtë seancë nuk prezantoi askush nga ATK-ja e cila me parashtresë kishte njoftuar gjykatën që nuk do të prezantoj në seancën e sotme.

Sipas padisë së ushtruar më 21 mars 2019 kompania NTP “Albi-Moni”, ka paditur ATK-në, me pretendimet për konstatimin e gabuar të gjendjes faktike, si dhe aplikimit të gabuar të dispozitave ligjore.

Paditësi ishte ngarkuar me tatim shtesë në vlerë bazë prej 36,189,53 euro dhe 3000 euro gjobë, duke kalkuluar çdo vit nga 1000 Euro.

 

.