Përfundon gjykimi në rastin ku paditësi po kërkon anulimin e një vendimi të Doganës së Kosovës

Pallati
Author

Raporton: Lavdim MAKSHANA

Qershor 21, 2021

Prishtinë – Ka përfunduar gjykimi në konfliktin administrativ, ku paditësi – subjekti juridik “NTSH”Kosprod” po kërkon nga Gjykata Themelore në Prishtinë anulimin e e një vendimi të Doganës së Kosovës.

Ky vendim ka të bëj me një gjobë administrative në shumë prej 500 euro e cila i ishte shqiptuar për shkak të kundërvajtjes doganore, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në seancën e fundit që u mbajt për këtë rast të hënën, u trajtuan pretendimet e palëve, u administruan provat dhe në fund u dha edhe fjala përfundimtare nga palët, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Përfaqësuesi i paditësit, avokati Senat Elshani tha se qëndron në tersi pranë padisë dhe kërkesëpadisë të cilën e kanë precizuar në seancën e kaluar.

Ai shtoi se deklarimi i kodit tarifor është bërë në bazë të dokumentacionit përcjellës dhe sipas tij, ky deklarim është në harmoni me dokumentacionin e mallit lëndor.

Gjithashtu, Elshani tha se e kontestojnë edhe tarifën doganore prej 10% si dhe TVSH-në pasi sipas tij, malli lëndor ka qenë në servisim dhe si i tillë nuk është dashur të aplikohet tarifa doganore e as TVSH-ja.

Përfaqësuesi i palës së paditur, Xhafer Krasniqi tha se mbesin në tersi prapa përgjigjes në padi duke i propozuar gjykatës që padia dhe kërkesëpadia e paditësit të refuzohen si të pabazuara.

Sa i përket pretendimeve të paditësit se ka bazë për lirim, i padituri tha se ky pretendim është i pabazuar dhe pa asnjë fakt relevant juridik, pasi që sipas tij, nëse paditësi pretendon se malli lëndor ka qenë i doganuar më herët dhe i dërguar në një shtet tjetër për riparim, do duhej që këtë ta mbështeste me deklarata tjera eksportuese.

Krasniqi shtoi po ashtu se e paditura me rastin e deklarimit të mallit ka konstatuar se paditësi pa bazë juridike ka pretenduar që të lirohet nga taksa doganore dhe TVSH-ja dhe për këtë arsye është kualifikuar si kundërvajtje me KDA.

Këto pretendime të palës së paditur i ka kontestuar përfaqësuesi i palës paditëse, avokati Elshani i cili ka thënë se e paditura ka dështuar që të jap arsyetime të bazuara në ligj se pse nuk e ka marr si të bazuar deklarimin e Kodit Tarifor, mirëpo sipas tij e paditura tërë vendimin e saj e ka bazuar me një mendim mbi klasifikimin tarifor duke anashkaluar gjithë dokumentacionin përcjellës të mallit lëndor.

Gjithashtu, Elshani ka shtuar se ekziston edhe një vendim gjyqësor nga kjo gjykatë që ndryshimin e kodit tarifor mbi bazën e një mendimi tarifor duke e anashkaluar edhe dokumentacionin e mallit lëndor është konsideruar si jo i drejtë.

Ndërsa, në pyetjen e gjykatësit Fisnik Nuli për palën paditëse se a e kanë kundërshtuar në procedurë administrative deklaratën unike doganore, paditësi është përgjigjur nuk e di pasi nuk ka njohuri dhe se nuk e ka ankesën me vete.

Pas deklarimit të palëve, gjykatësi Fisnik Nuli ka administruar provat materiale.

Në fjalën e tij përfundimtare, përfaqësuesi i paditësit, Senad Elshani ka kërkuar nga gjykata që ta aprovoi kërkesëpadinë dhe të anulohet vendimi kontestues i të paditurës si dhe të obligohet e paditura që ta pranoi deklarimin e kodit tarifor.

Po ashtu, ai ka kërkuar nga gjykata që për mallin lëndor të ju kthehet shuma e paguar në emër të kundërvajtjes doganore në vlerë prej 250 euro si dhe taksat e importit në vlerë prej 153.30 euro me kamatë prej 8% duke filluar nga dita e paraqitjes së padisë deri në pagesën definitive.

Kurse, përfaqësuesi i palës së paditur, Krasniqi i ka propozuar gjykatës që të refuzohet padia dhe kërkesëpadia e paditësit si e pabazuar dhe të mbetet ne fuqi aktvendimi i datës 28 nëntor 2018.

Ndryshe, sipas padisë së ushtruar më 16 janar 2019, NTSH “Kosprod” me seli në Fushë Kosovë ka paditur Doganën e Kosovës.

Siç thuhet në padi, me aktvendim është refuzuar kërkesa për rishqyrtim të aktvendimit të Sektorit për Kundërvajtje Doganore me të cilin aktvendim i është shqiptuar gjoba administrative në shumë prej 500 €, për shkak të kundërvajtjes doganore nga neni 276 (k), duke shfrytëzuar të drejtën ligjore nga neni 291 pika 2 e Kodit Doganor dhe i Akcizave për shkak të kontestimit të kodit tarifor të mallit të importuar duke kontestuar klasifikimin e mallit të klasifikuar sipas dokumentacionit përcjellës të mallit.

Gjithnjë sipas padisë, ky vendim i Doganës së Kosovës është nxjerr në kundërshtim të plotë me formën e paraparë me Ligjin e Procedurës Administrative dhe si i tillë, konform nenit 52 pika 1 (1.1 deri 1.7) e LP A është absolutisht i pavlefshëm.

Sipas vendimit të Doganës së Kosovës paditësit i është refuzuar si e pa bazuar ankesa me arsyetimin se paditësi kontrollës doganore nuk i ka paraqitur saktë kodin tarifor te mallit, me anë të deklaratës për mallin ”Resivera” (television set top box IPTV MAG) ku sipas deklaratës malli ishte në riparim, me garancion, me origjinë nga Ukraina dhe është liruar nga të gjitha taksat doganore.

Po ashtu, në këtë vendim thuhet se, sipas mendimit mbi klasifikimin tarifor i njëjti mall është dashur të deklarohet në kodin tarifor 8528719100 sipas të cilit kod duhet të paguaj taksën doganore dhe TVSH-në, ku shmangiet e taksave janë 153.30 €, pra ka vepruar në këtë mënyrë me qëllim që të paguajë detyrime doganore në shumë më të vogël nga ajo realja. /BetimipërDrejtësi