Përfundon gjykimi në rastin ku paditësi po kërkon anulimin e dy vendimeve me të cilat njihet si uzurpator i një prone në Komunën e Podujevës

IMG_0577
Author

Raporton: Aurela MERLAKU

Maj 25, 2021

Prishtinë  Ka përfunduar gjykimi në konfliktin administrativ, ku paditësi Skender Glloboderi po kërkon anulimin e vendimeve me të cilat ai njihet si uzurpator i ngastrës kadastrale me sipërfaqe prej 773 m², në pronësi shoqërore të Kuvendit Komunal të Podujevës, si dhe njohjen e të drejtës pronësore.

Sipas padisë së ushtruar në maj 2017, paditësi nga ana e Komunës së Podujevës, përkatësisht Drejtoria për Kadastër, Gjeodezi dhe Pronë, ishte shpallur uzurpator për patundshmërinë të cilën thotë se e kishte shfrytëzuar edhe babai e babëgjyshi i tij edhe 100 vite më parë.

Siç thuhet në padi, paditësi pasi që ishte shpallur uzurpator kishte ushtruar ankesë pranë Komunës së Podujevës, ku sipas aktvendimit të 6 marsit 2017, ishte shpallur përsëri uzurpator. Ai thuhet se kishte ushtruar ankesë edhe pranë Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, përkatësisht Agjencisë Kadastrale të Kosovës, e cila poashtu i ishte refuzuar me aktvendimin e 18 prillit 2017.

I pakënaqur me të dy vendimet, paditësi ka ushtruar padi, me anë të së cilës kërkon nga gjykata anulimin e dy aktvendimeve të lartpërmendura dhe njohjen e të drejtës së pronësisë për ngastrën në zonën kadastrale Llugë të Komunës së Podujevës.

Lidhur me këtë padi, në seancën e mbajtur të martën, përfaqësuesi i paditësit, Enver Glloboderi ka thënë se atë pronë e kanë shfrytëzuar që 100 vite dhe pjesa e shtëpisë përfshinë afërsisht mbi 80% pronë ligjore, ndërsa pjesa tjetër 4 ari e 80 metra është e kontestueshme.

“Ne jemi në gjendje që të gjitha pronat apo parcelat kontestuese t’i kompensojmë, por deri atëherë kërkojmë që vendimet e kontestuese të anulohen nga ana e gjykatës”, ka thënë ai.

Ndryshe, në këtë seancë nuk prezantoi askush nga e paditura e cila ishte ftuar në mënyrë të rregullt, ku provë për këtë gjykatësi i çështjes Kreshnik Kaçiu kishte fletëkthesën e datës 20 prill 2021.

Po ashtu, në këtë seancë janë administruar provat si dhe është dhënë fjala përfundimtare, me ç’rast, përfaqësuesi Glloboderi tha se pas administrimit të provave u vërtetua themelësia e padisë dhe kërkesëpadisë, si dhe kundërligjshmëria e vendimeve të atakuara, duke kërkuar anulimin e tyre.

Pas kësaj, gjykatësi Kaçiu bëri të ditur se kjo çështje ka përfunduar dhe se palët do të njoftohen me kohë për vendimin. /BetimipërDrejtësi