Përfundon gjykimi në rastin ku paditësi po kërkon 3 mijë euro për kompensim dëmi dhe fitimit të humbur

Raporton: Avni BERISHA

Rahovec – Në Gjykatën Themelore në Gjakovë, dega në Rahovec, të premten ka përfunduar  procedura civile në rastin ku paditësi Ilvi Ejupi po kërkon nga e paditura, Kompania e Sigurimeve “Eurosig”, kompensimin e dëmit dhe fitimit të humbur në shumën prej 3 mijë euro, i shkaktuar nga aksidenti i trafikut.

Përfaqësuesi i paditësit Ejupi, avokati Samedin Cena, ka thënë se qëndrojnë  pranë kërkesëpadisë, ndërsa shtoi se ka dy pyetje sqaruese rreth ekspertizës financiare, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Po ashtu, avokati Cena ka propozuar dëgjimin e paditësit në cilësi të dëshmitarit.

“I propozoj gjykatës që duke marrë parasysh që nga ATK nuk kemi mundur të nxjerrim raport të arkës fiskale, me të cilin do të vërtetohet se nuk është punuar për 22 ditë, ashtu siç është cekur në padi, atëherë me qëllim të sqarimit të kësaj çështje i propozoj gjykatës që të bëhet dëgjimi i palës paditëse, i cili është pronar i biznesit”, avokati Cena.

Ndërsa përfaqësuesi i të paditurës “Eurosig”, Vedat Kerolli, tha se qëndron pranë deklarimeve të dhëna në seancat e kaluara.

Ai kundërshtoi propozimin e palës paditëse për dëgjimin e dëshmitarit, me arsyetimin se i autorizuari i paditësit, paditësin është dashur ta ftojë në seancat e kaluara dhe se sipas tani në seancën e sotme është prezente ekspertja për të dhënë sqarime.

Pas kësaj gjykatësi, Besmir Juniku, ka refuzuar propozimin e palës paditëse dhe ka ftuar palët të parashtrojnë pyetje për eksperten.

Duke u përgjigjur në pyetjen e përfaqësuesit të paditësit, avokatit Cena, ekspertja Valbona Morina, tha se llogaritja e fitimit të humbur është bërë duke u bazuar në deklarimet tatimore në qarkullim.

“Duke e ditur që ky lloj i veprimtarisë së biznesit tatohet 3% në çdo tremujor dhe në bazë të tyre kam llogaritur qarkullimin 3 mujor të biznesit, siç e ka deklaruar në ATK”, tha ekspertja Morina.

Në pyetjen e gjykatësit Juniku, se përse nuk janë llogaritur në fitimin e humbur shpenzimi i energjisë elektrike, ujit dhe qirasë, ekspertja deklaroi se të njëjtat nuk ia ka ofruar me kohë pala paditëse.

“Edhe pse këto elemente kanë qenë të përcaktuara në detyrat që m’i keni dhënë, pala paditëse nuk më ka ofruar kontratën e qirasë, faturën e rrymës dhe ujit për kohën kur ka ndodhur aksidenti. Mirëpo, këto fatura m’i kanë dhënë dy ditë para se të mbahej kjo seancë”, tha Morina.

Ekspertja ka pranuar ta bëjë plotësimin e ekspertizës në seancën e sotme, pas pranimit të kontratës së qirasë dhe sipas saj, pas llogaritjes së shpenzimeve të qirasë fitimi i humbur për një ditë është 16 euro e 4 centë.

Në bazë të kësaj llogaritje, më pas përfaqësuesi i paditësit, avokati Cena ka bërë precizimin e shumës së fitimit të humbur për 22 ditë, e cila pas plotësimit nga ekspertja duhet të jetë 352 euro e 88 centë.

Pas kësaj përfaqësuesi i të paditurës, “Eurosig”, ka kërkuar nga gjykata që ta lirojë nga seanca e sotme pasi që patjetër duhet të marrë pjesë në një seancë tjetërnë Gjykatën Themelore në Prizren, dega në Suharekë, i njëjti e ka njoftuar gjykatës se fjalën përfundimtare do ta dorëzojë me shkrim.

Po ashtu edhe përfaqësuesi i paditësit, avokati Cena, pas administrimit të provave ka njoftuar gjykatën se fjalën përfundimtare do ta dorëzojë me shkrim.

Gjykatësi Besmir Juniku ka aprovuar kërkesën e palëve duke obliguar të njëjtit që fjalën përfundimtare ta dorëzojnë në afat prej 7 dite.

Ndryshe, më 7 qershor 2016, paditësi Ilvi Ejupi kishte ushtruar padi kundër të paditurës kompania e sigurimeve “Eurosig” për kompensimin e dëmit dhe fitimit të humbur, shkaktuar nga aksidenti i trafikut.

Sipas padisë, shoferi i automjetit “Nissan C23” Arian Miftari, në dhjetor të 2013-ës,  në rr. “Avdulla Bugari” në Rahovec nga pakujdesia ka shkaktuar aksident trafiku, ku pasi që paraprakisht ka goditur dy automjete, nga goditja është përplasur me lokalin e kafenesë “XXL” dhe i shkakton dëme materiale të dëmtuarit Ilvi Ejupi.

Tutje thuhet se me rastin e aksidentit, automjeti i të paditurit ka qenë i regjistruar në kompaninë e sigurimeve “Eurosig”.

Në padi thuhet se në rastin e lartpërmendur, një pjesë e veturës është futur në lokal duke e shkatërruar plotësisht pjesë hyrëse të lokalit, përkatësisht pjesën mbajtëse të ramit nga alumini, xhamat, një televizor plazma si dhe disa tavolina dhe karriga.

Sipas padisë, paditësi i është drejtuar të paditurës që në procedurë jashtëgjyqësore të shpërblejë dëmin, mirëpo e njëjta kishte ofruar vetëm shumën prej 710 euro, e të njëjtit kanë konsideruar se shuma e ofruar është e pamjaftueshme.

Pasi që nga dëmtimet e pësuara në lokalin afarist paditësi, nuk ka mundur të zhvillojë veprimtarinë e tije për plot 22 ditë sa ka zgjatur renovimi i lokalit, ka pësuar humbje prej 80 euro, qarkullim ditor si dhe duke llogaritur shpenzimet si qiraja mujore, rryma dhe uji pasi që pothuajse për tërë muajin e ka pasur të pamundur të punojë, andaj bazuar në këto, në bazë të nenit 169 të LMD-së mbi shpërblimin e dëmit dhe nenit 173 të LMD-së mbi fitimin e humbur paditësi ka paraqitur këtë padi. /BetimipërDrejtësi

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë