Përfundon gjykimi në rastin ku paditësi kërkon nga MPMS-ja t’i njihet pensioni kontributdhënës

Rasti i Ramadan Sallahaj 13.11.2019
Author

Raporton: Kaltrina AJVAZI

Nëntor 13, 2019

 

Prishtinë – Me pretendimin se Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), nuk kishte vendosur drejtë me rastin e refuzimit të kërkesës për pension kontributdhënës, Ramadan Sallahaj, ka paraqitur padi në Departamentin për Çështje Administrative.

Kjo padi e vitit 2017, është shqyrtuar nga gjykata të mërkurën, ku paditësi Sallahaj, përmes një parashtrese ka kërkuar që padia e tij të aprovohet pasi që siç ka thënë, ai kishte punuar 19 vjet e pesë muaj, e jo vetëm 11 vjet siç thuhej nga ministria.

Në seancë, nuk mori pjesë përfaqësuesi nga MPMS-ja, e cila sipas gjykatëses Lirije Maksutaj, ishte ftuar me rregull, por mungesën nuk e kishte arsyetuar.

Pasi që sipas Ligjit për Konfliktet Administrative, seanca në Departamentin për Çështje Administrative mund të zhvillohet edhe pa palë, gjykata ka administruar provat në prezencë vetëm të paditësit Sallahaj.

Në fjalën përfundimtare, Sallahaj tha se kërkon që vendimi i MPMS-së të anulohet dhe që e njëjta t’i njoh atij të drejtën në pension kontributdhënës të moshës.

Vendimi, sipas gjykatëses Maksutaj, për këtë rast do të merret në fillim të muajit tjetër, për të cilin palët do të njoftohen me kohë.

Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, më 3 mars 2017, paditësit i kishte refuzuar ankesën ndaj vendimit me të cilit Sallahajt i ishte mohuar e drejta në pension kontributdhënës të moshës, pasi që siç thuhej, ai nuk kishte prezantuar dëshmi të mjaftueshme mbi të cilat bazonte se kishte punuar mbi 15 vjet.

Paditësi ndaj këtij vendimi, më 22 dhjetor 2017, kishte paraqitur padi në Gjykatën Themelore në Prishtinë, duke pretenduar se ministria kishte vendosur kundërligjshëm kur atij ia kishte refuzuar këtë të drejtë.

Me anë të padisë, ai ka kërkuar që të anulohet vendimi i MPMS-së dhe që atij t’i njihet kjo e drejtë, pasi që sipas tij, ai kishte punuar 19 vjet e pesë muaj dhe e kishte plotësuar kriterin e kërkuar për fitim të kësaj të drejte. /BetimipërDrejtësi